Moti i keq “paralizon” gjithë Shqipërinë!
Moti i keq ka përfshirë ditën e premte thuajse të gjithë territorin e vendit, duke shkaktuar jo pak problematika në disa qytete.
Vlora ishte qyteti i fundit i prekur nga stuhia, teksa reshjet e dendura sollën përmbytje dhe prezencë uji deri në 20-30 cm, ndërkohë që në disa zona të tjera niveli i ujit shkoi edhe 50 cm.
Problemet më të mëdha u evidentuan në lagjen Rilindja, zonën e bibliotekës së qytetit dhe zonën e Skelës ku shumë banesa e biznese ndodhen nën ujë. Prej stuhisë, i gjithë qyteti i Vlorës mbeti edhe pa energji elektrike.
Por stuhia shkaktoi probleme edhe në Lushnje ku niveli i ujit në rrugë i kaloi 40 centimetra, ndërsa shumë mjete u bllokuan në rrugë si pasojë e përmbytjeve.
Në Lezhë Stacioni Meteorologjik Ushtarak konfirmoi se ranë mbi 45 milimetra shi. Reshjet me intensitet të lartë shkaktuan probleme në lagjen 11 janari, ku pati edhe përmbytje.
Në Shkodër, situata ishte pak më e lehtë. Stuhia zgjati rreth 20 minuta. Prej stuhisë që zgjati për rreth një orë, uji vërshoi edhe në rrugët e Bulqizës.
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme në shumë prej rrugëve të Durrësit, duke shkaktuar vështirësi jo vetëm për kalimtarët, por edhe për automjetet. Ndërkohë moti i keq vazhdon të mbajë të pezulluar aktivitetin e flotës së peshkimit.
Policia e Shteti ripërsëriti apelin për shoferëve dhe këmbësorëve që të jenë të kujdesshëm gjatë lëvizjeve të tyre përgjatë gjithë fundjavës.