
Moskë: Gjenerali rus vritet në atentat me bombë në makinë
Një sulm me bombë në Moskë i ka marrë jetën gjeneralit të lartë rus, Jaroslav Moskalik, në atë që përfaqëson një nga atentatet më të rralla në zemër të kryeqytetit rus.
Vdekja e tij është konfirmuar nga Komiteti Hetimor i Rusisë, i cili deklaroi se një Volkswagen Golf shpërtheu pasi një mjet shpërthyes artizanal, i mbushur me copëza metalike, u aktivizua.
Gjenerali Moskalik mbante funksionin e zëvendëskreut të Departamentit Operacional të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Rusisë dhe kishte përfaqësuar ushtrinë ruse në bisedimet me Ukrainën në Paris në vitin 2015.
Ky nuk është rasti i parë i atentateve ndaj zyrtarëve të lartë rusë që prej fillimit të luftës në Ukrainë. Në shkurt të këtij viti, Armen Sargsyan, udhëheqësi i një grupi paramilitar pro-rus në Ukrainën lindore, humbi jetën pas një shpërthimi në hyrje të një ndërtese banimi në Moskën veriperëndimore. Askush nuk mori përgjegjësi për atë ngjarje.
Ndërkohë, në dhjetor të kaluar, shërbimi sekret ukrainas SBU pranoi përgjegjësinë për vrasjen e një gjenerali të lartë rus, Igor Kirillov, i cili u vra nga një bombë e vendosur në një skuter dhe e komanduar nga distanca.
Ngjarja ndodh në një moment kur Ukraina dhe Rusia vazhdojnë të dërgojnë sinjale të përziera për paqen. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është rikthyer në Kiev pasi një sulm rus vrau 12 persona dhe plagosi dhjetëra të tjerë në orët e para të së enjtes. Zelensky ishte në Afrikën e Jugut në një vizitë zyrtare, por anuloi pjesëmarrjen e planifikuar në varrimin e Papa Françeskut për shkak të sulmit.
Ndërkohë, këshilltari i Zelenskyt, Serhiy Leshchenko, e kritikoi ashpër deklaratën e kryebashkiakut të Kievit, Vitali Klitschko, i cili tha se Ukraina duhet të jetë e gatshme të heqë dorë nga territor për të arritur paqen. Leshchenko e cilësoi këtë deklaratë si “joproduktive” dhe theksoi se vetëm presidenti ka mandatin për të folur në emër të popullit ukrainas.
Ai shtoi se heqja dorë nga territoret do të kishte pasoja të rënda ligjore dhe do të binte ndesh me Kushtetutën e Ukrainës.