Moska kundërshton shkëmbimin e territoreve në marrëveshjen e mundshme të paqes me Ukrainën

Moska kundërshton shkëmbimin e territoreve në marrëveshjen e mundshme të paqes me Ukrainën

Kremlini tha sot se nuk do të konsideronte shkëmbimin e territorit të pushtuar me Kievin – si pjesë e ndonjë marrëveshjeje të ardhshme për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Kjo është e pamundur”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

“Rusia kurrë nuk ka diskutuar dhe nuk do të diskutojë kurrë temën e shkëmbimit të territorit të saj”, shtoi ai.

Peskov u zotua se forcat ukrainase që ruajnë pozicione brenda Rusisë ose do të “shkatërrohen” ose do të dëbohen.

Deklarata e tij erdhi pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky sugjeroi të martën se pjesët e kontrolluara nga Ukraina të rajonit Kursk, në Rusinë jugperëndimore mund të shkëmbeheshin me territorin e pushtuar nga Rusia në Ukrainën lindore dhe jugore.

Forcat ukrainase nisën ofensivën ndërkufitare në rajonin e Kurskut në gusht, duke marrë kontrollin e zonave – që Kievi shpreson se mund të luajë një rol në negociatat e ardhshme për t’i dhënë fund luftës.

Bisedat për një zgjidhje të mundshme vijnë pasi Ukraina përballet me sfida në rritje në fushën e betejës. Forcat e Kievit kanë humbur terren ndaj trupave ruse të pajisura më mirë, në pikat kyçe përgjatë vijës së frontit.

Zelensky ka planifikuar të takohet të premten me zëvendëspresidentin e SHBA-së, JD Vance në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku diskutimet pritet të përqendrohen te lufta. /atsh/

Share This