Morina: Kosova të fokusohet në forcimin e shtetësisë jashtë
Hulumtuesja e lartë për politika në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, me bazë në Berlin, Engjellushe Morina ka thënë se forcimi i institucioneve brenda, dhe forcimi i shtetësisë së Kosovës jashtë, janë disa prej prioriteteve në të cilat duhet të fokusohet Kosova.
Në një intervistë për Radio Evropën e lirë, ajo ka folur për zhvillimet kryesore të vitit që lamë pas, për atë që e konsideron qasje të padrejtë të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, për fatkeqësinë e, siç thotë ajo, politizimit të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, dhe për nevojën që Kosova të koordinohet me partnerët, si dhe të shohë më larg në vendimet që merr.
Morina ka theksuar se masat nuk kanë qenë të drejta në asnjë moment për Kosovën.
“Edhe disa shtete të Bashkimit Evropian këtë e konfirmojnë nëpër deklarime të ndryshme. Tash duket se ka konsensus që masat të hiqen, nëse jo përnjëherë, atëherë gradualisht. Në këtë pikëvështrim, shumë analistë e kanë pasur përshtypjen që masat do të duhej të shkonin në tjetër drejtim, në këtë rast në drejtim të Serbisë, e cila ka qenë agresore në disa prej ndodhive që i kemi parë në veri të Kosovës, por për habinë e shumicës prej nesh, masat iu vendosën Kosovës. Masat kanë qenë një lloj ndëshkimi që Kosova të sillet ndryshe në relacion me veriun, dhe në relacion me dialogun me Serbinë. Nuk kanë qenë mjeti më i mençur për të ndëshkuar një vend që veçse është në pozitë të dobët në relacion me Bashkimin Evropian dhe dialogun me Serbinë”, ka theksuar ajo.
Morina ka theksuar se me udhëheqjet e reja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Bashkimin Evropian, nuk parasheh ndryshim rrënjësor në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Me siguri qasje të re do të ketë, por ato premisat primare nuk do të ndryshojnë. Besoj që BE-ja do të vazhdojë me shtyrjen e implementimit të marrëveshjes së fundit, Marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit. Nuk besoj që do të ketë ndryshim këtu, nuk pres që do të dalë ndonjë dokument i ri”, ka thënë Morina.
Sipas saj, njëri prej problemeve është se në procesin e dialogut duhet të ketë fokusim në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk duhet lënë dera e hapur për Serbinë që të ketë ndikim në punët e brendshme të Kosovës. Qasja e Serbisë ndaj veriut të Kosovës është problematike. Në fund të vitit 2022, nën ndikimin e Serbisë, të gjithë pjesëtarët serbë u tërhoqën nga institucionet e Kosovës. Kjo shkon kundër integrimit të minoritetit serb brenda Kosovës. Nëse nuk ka integrim të minoritetit serb në institucionet e Kosovës, nuk shoh që do të ketë normalizim të shëndoshë të marrëdhënieve mes dy vendeve”, ka theksuar ajo.