Morata “shpërthen” kundër Atleticos: Jam 31-vjeç, nuk e duroj këtë sjellje!
Alvaro Morata kërkon një rrugëdalje nga Atletico Madrid. Sulmuesi është vendosur në kërkim të aventurës së radhës duke qenë se në Madrid nuk e llogarisin më si një sulmues titullar të skuadrës së Diego Simeones.
Kjo sjellje e klubit ka sjellë së fundmi edhe “shpërthimin” e sulmuesit, i cili thekson se në moshën 31-vjeçare nuk mund të qëndroj thjesht si një rezervë.
“Jam 31 dhe në tetor do të mbush 32-vjeç, nuk mund të qëndroj në një skuadër dhe të mos luaj. Nuk kam folur ende me asnjë në klub, por nëse shoh që Atletico transferon sulmues, atëherë do të thotë se nuk jam një prioritet në atë klub”, u shpreh Morata.
Morata u rikthye te Atletico Madrid në vitin 2022, por pas dy sezonesh tashmë marrëdhënia duket se është mbyllur, madje mes shumë tensionesh me lojtarin që ka mbetur i pakënaqur nga mënyra e trajtimit te “Los Colchoneros”.