Monza “tremb” Juventusin, bardhezinjtë fitojnë me golin e mbrojtësit dhe kryesojnë Serinë A
Serie A ngriti siparin e javës së 14-të me ndeshjen Monza-Juventus.
Një sfidë e cila përfundoi me rezultatin 1-2 në favor të bardhezinjve. Sfida nisi mirë për torinezët të cilët gjetën golin e avantazhit me Adrien Rabiot.
Francezi shfrytëzoi një goditje këndore në minutën e 12-të dhe me kokë mposhti portierin Di Gregorio.
Vlen të theksohet se vetëm një minutë më parë, Dusan Vlahovic gaboi nga pika e bardhë e penalltisë dhe u ndal në dy momente nga gardiani i Monzës.
Në vijimin e ndeshjes, nuk pati raste të pastra, teksa emocionet ishin rezervuar për minutat shtesë të pjesës së dytë. Vendasit nuk ishin dorëzuar dhe në minutën e 92-të, Valentin Carboni surprizoi të besuarit e trajnerit Massimiliano Allegri. Për lojtarin e Monzas ishte goli i parë në Serie A.
Por, te Juventus nuk u dorëzuan dhe në aksionin pasardhës kaluan sërish në avantazh. Rabiot mori krahun e nga e djathta dhe pasoi në zonë aty ku Gatti në rolin e një sulmuesi të mirëfilltë realizoi një gol me shumë peshë edhe pse fillimisht gaboi, por e korigjoi shpejt.
Kështu, mes shumë emocionesh, Juventus mori tre pikë shumë të rëndësishme nga kjo transfertë. Falë kësaj fitoreje, bardhezinjtë ngjiten momentalisht në krye të kampionatit me 33 pikë, një më shumë se Interi që luan në transfertë të dielën ndaj Napolit. Nga ana tjetër, Monza mbetet në kuotën e 18 pikëve në vend të 10.