
Mjafton barazimi ndaj Partizanit, Egnatia sfidon Vllazninë në finalen e titullit
Mbyllet në barazim të bardhë 0-0 gjysmëfinalja e dytë e “Final 4” mes Egnatias dhe Partizanit dhe janë rrogozhinasit ata që shkojnë në finalen e madhe (sipas rregullores së kampionatit), falë renditjes më të mirë gjatë sezonit të rregullt.
Kanë munguar rastet e pastra për shënim në sfidën që u transmetuar drejtpërdrejt në RTSH Sport. Egnatia nisi më mirë takimin, duke u shfaqur më e rrezikshme me Aleksin dhe Lushkjan, por me kalimin e minutave edhe Partizani filloi të shohë drejt sulmit.
Nuk ka gola edhe në pjesën e dytë, me dy skuadrat që duken të pafuqishme dhe që krijojnë pak raste në portat respektive.
Mbyllet 0-0 sfida në “Arenën Kombëtare” dhe është Egnatia skuadra që shkon në finalen e madhe, pasi mbylli sezonin e rregullt në vendin e parë në renditje.
Egnatia do të sfidojë Vllazninë në 12 maj në finalen e madhe, që do të shpallë skuadrën kampione të Abissnet Superiores, ndërsa Partizani do të luajë kundër Dinamos finalen e vogël për vendin e tretë.