
Mirlind Daku shënon golin më të bukur të muajit në Rusi
Jo më kot thonë se ai është gjysma e skuadrës. Mirlind Daku vazhdon të jetë protagonist për Rubinin në Premier Ligën ruse, edhe i dëmtuar, ndërsa përpara ndeshjes së fundit mori një çmim.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare u vlerësua nga organizatorët e kampionatit në Rusi si autori i golit më të bukur të muajit mars.
Pavarësisht, lëndimeve që nuk e kanë lënë të qetë, Daku realizoi muajin e kaluar dy rrjeta kundër Spartakut të Moskës, duke u shpallur edhe lojtari më i mirë i asaj ndeshjeje. Siç njofton faqja zyrtare e Premier Ligës ruse, Daku është shpallur katër herë këtë sezon futbollisti më i mirë i ndeshjes.
Rubin arriti një tjetër fitore, me 27-vjeçarin që nga minuta e parë, ndonëse 1-0 kundër Lokomotivës moskovite, edhe pse nuk ishte autor goli. Rrjetën e vetme e realizoi gjithsesi një tjetër lojtar me origjinë shqiptare nga Kosova, Dardan Shabanhaxhaj, duke goditur në minutën e 50-të.
Shabanhaxhaj, që përfaqëson Austrinë si kombëtare, u shpall edhe lojtari më i mirë i ndeshjes, ndërsa Daku e përqafoi fort dhe i kujtoi se i kishte thënë përpara ndeshjes se do të shënonte.