‘Miqësorja ndaj Norvegjisë, test i mirë për Ligën e Kombeve’
Pas pak minutash do të nis miqësorja mes Norvegjisë edhe Kosovës.
Norvegjezët dhe Dardanët do të përballen në Oslo, në një sfidë e cila pritet të dhurojë një ndeshje interesante.
Analisti Arbnor Morina në emisionin ‘Dardanët’ në RTK, ka thënë së miqësorja me Norvegjinë është një ndeshje që do t’i shërbejë mjaft shumë përzgjedhësit Franco Foda për ndeshjet e Ligës së Kombeve që nisin në muajin shtator.
“Kjo është një ndeshje që do t’i shërbejë Fode-s për të parë së ne cilët lojtarë mund të llogarisë në Ligën e Kombeve”, ka thënë Morina.
“Kjo ndeshje vlen edhe për të parë formën e lojtarëve të cilët tashmë i kanë mbyllur sezonet në klubet e tyre. Do të jetë interesante për të parë edhe ‘luftimet’ direket mes disa lojtarëve”, ka pohuar Morina.
Miqësoren Norvegji-Kosovë e vlerëson të rëndësishme edhe Malsor Gjonbalaj, një tjetër analist i futbollit.
Sipas tij, Norvegjia ka lojtarë mjaft të mirë dhe jo vetëm Haalandin dhe Odegaard. Madje, sipas tij, ylli i Arsenalit është një nga lojtarët më të mirë në Evropë.
“Bëhet fjalë për një futbollist cilësorë. Ai është një futbollist profesionistë që ka treguar formë të lartë”, ka thënë Gjonbalaj.
Sipas tij, Kosova nuk duhet të ndihet inferiore, sepse sipas Gjonbalajt, edhe tek Dardanët ka lojtarë kampion si Amir Rrahmani.
“Rrahmani është kampion me Napolin, kjo do të thotë se edhe ne kemi kampion. Nuk ndihem inferiore për asnjë momente. Norvegjia është skuadër e disiplinuar, krahas Haalandit ka edhe lojtarë të tjerë, e kanë një repart sulmues goxha të rrezikshëm. Por, ne nuk duhet te jemi për asnjë moment inferior”, ka theksuar Gjonbalaj.
Ndeshja Norvegji-Kosovë fillon në orën 19:00 dhe transmetohet drejtpërdrejt në RTK.