Ministri rus: Nëse Ukraina do paqe, të heqë dorë nga aspiratat në NATO

Ministri rus: Nëse Ukraina do paqe, të heqë dorë nga aspiratat në NATO

Ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov deklaroi se një zgjidhje paqësore e konfliktit me Ukrainën është e mundur vetëm nëse Kievi braktis planet për t’iu bashkuar NATO-s, mbyll bazat ushtarake perëndimore në vend dhe anulon stërvitjet që përfshijnë trupa të huaja.

“Rusia nuk beson se zgjidhja e krizës ukrainase është vetëm në duart e Moskës dhe Uashingtonit. Moska është e gatshme për çdo zhvillim të ngjarjeve rreth Ukrainës, por preferon një zgjidhje paqësore duke marrë parasysh interesat e sigurisë së Rusisë. Nëse Ukraina dëshiron paqe, duhet të heqë dorë nga aspiratat e saj në NATO, të mbyllë bazat ushtarake perëndimore dhe të anulojë stërvitjet me trupat e huaja.  Zelensky në vitin 2022 ishte i bindur se do t’i diktonte kushtet Perëndimit, ndaj nënshkroi një dekret që ndalonte negociatat me Rusinë. Federata Ruse kurrë nuk synonte të vriste njerëz në Ukrainë, ndryshe nga regjimi i Zelenskit. Konflikti ukrainas duhet të zgjidhet në bazë të Kartës së OKB-së, por në tërësinë e saj”, tha Lavrov.

Kryediplomati sqaroi se Rusia do të gjykojë administratën e Donald Trump me hapa konkretë, por presidenti amerikan në largim Joe Biden dëshiron t’i lërë Trump një trashëgimi të rëndë.

Rusia dëshiron marrëdhënie normale me Shtetet e Bashkuara dhe nuk sheh asnjë arsye pse të dy vendet nuk mund të bashkëpunojnë. Ka disa kanale të mbyllura midis Moskës dhe Uashingtonit, kryesisht për çështjet e shkëmbimit të të burgosurve. Rusia do të gjykojë administratën Trump me hapa konkretë, por presidenti në largim Joe Biden dëshiron të lërë një trashëgimi të rëndë. Kjo është e ngjashme me atë që bëri Presidenti Barack Obama me Trump. Trump është një politikan i fortë dhe miqësor, por ai nuk është pro-rus”, tha Lavrov.

Sa i përket përdorimit të raketës Oreshnik Lavrov theksoi se Perëndimimi gabohet nëse beson se “vijat e kuqe” të Rusisë janë fleksibël.

“Rusia nuk dëshiron një luftë bërthamore me Shtetet e Bashkuara dhe po bën gjithçka për ta parandaluar atë. Sulmi me raketa Oreshnik tregoi se Rusia është e gatshme të përdorë çdo mjet për të penguar Perëndimin të arrijë qëllimin e tij për t’i shkaktuar një “disfatë strategjike” vendit. Rusia është e gatshme të dërgojë mesazhe shtesë nëse Perëndimi nuk nxjerr përfundimet e nevojshme pas përdorimit të raketës Oreshnik”, deklaroi ministri. /rtsh/

Share This