Ministrat e Jashtëm të BE-së: Të tmerruar nga situata humanitare në Gaza

Ministrat e Jashtëm të BE-së: Të tmerruar nga situata humanitare në Gaza

Shumë ministra të Jashtëm të BE-së shprehën tmerrin e tyre për situatën humanitare në Gaza dhe i bënë thirrje Izraelit dhe lëvizjes islamike palestineze, Hamas që të bien dakord për një armëpushim.

“Kjo është në thelb tani një luftë kundër palestinezëve, jo vetëm kundër Hamasit”, tha ministri i Jashtëm irlandez, Micheal Martin.

“Vuajtjet e mëdha të popullatës civile në Gaza duhet të marrin fund”, tha ministri i Jashtëm suedez, Tobias Billström.

Ministrja e Jashtme belge, Hadja Lahbib i përshkroi luftimet në Gaza si një “tragjedi, një katastrofë humanitare” dhe paralajmëroi për përshkallëzimin e dhunës në Bregun Perëndimor.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock iu bashkua thirrjeve për një armëpushim dhe tha se situata në Bregun Perëndimor “nuk duhet lejuar të shpërthejë”.

Sigrid Kaag, një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara që koordinon përpjekjet humanitare në Gaza tha se shkatërrimi dhe vuajtja njerëzore nuk janë “parë në shekullin XXI në këtë përmasë”. /atsh/

Share This