Milan, United, Benfica e Dortmund kanë detyrimin për fitore me çdo kusht
Milan, Manchester United, Benfica, Borussia Dortmund.
Katër skuadra që të përbashkët kanë lavdinë e shkuar, sidomos dy të parat, dhe vështirësitë aktuale, duke rrezikuar realisht eliminimin në Champion League. Milan, shtatë herë kampion i Evropës, dhe Benfica, dy herë, janë të vetmet skuadra që nuk kanë shënuar asnjë gol pas tri ndeshjeve të para dhe mbajnë vendet e fundit në grupet respektive.
Italianët gjenden në grupin e ferrit, ku kanë mbledhur vetëm dy pikë e nesër kanë takimin për jetë a vdekje kundër Paris SG, ku fitorja është alternativa e vetme. Një mision i vështirë, duke parë vështirësitë për golin, mungesat, si dhe formën jo të mirë në kampionat, ku u mundën në shtëpi nga Udinese. Në të njëjtin grup, në pozita pak më komode është Borussia Dortmund, që pret Newcastle pas shpartallimit nga Bayern të shtunën.
Gjermanët fituan në Angli ndeshjen e parë, por kjo nuk jep asnjë garanci për takimin e nesërm, sidomos pas shtysës morale që Newcastle ka marrë nga fitorja kundër Arsenalit. Benfica është një nga tri skuadrat me zero pikë, njësoj si debutueset Union Berlin dhe Antwerp, dhe i duhet të fitojë në San Sebastian kuindër Real Sociedad për të mbajtur gjallë shpresat matematike.
Manchester United fitoi në Premier League kundër Fulhamit dhe të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe në Kopenhagë, për Grupin A në Champions, duke besuar edhe se Bayern do të bëjë detyrën kundër Gallatasarajit. Por kampionët e Danimarkës janë një kockë e fortë, çka e treguan edhe në Old Traford, ndërkohë që në fortesën e tyre pësuan nga Bayern humbjen e parë pas shumë vitesh.