Milan, Pioli ndryshon formacionin
Trajneri i Milanit, Stefano Pioli do të bëjë disa ndryshime në formacion, për ndeshjen e radhës në kampionat, atë ndaj Veronës.
Paraqitja e dobët e Rafael Leaos në Ligën e Kampionëve ngjalli polemika dhe kritika. Sa më i lartë të jetë niveli i një lojtari, aq më shumë vëmendje i kushtohet atij.
Leao është tashmë pikëmbështetja e sulmit të kuqezinjve dhe në përgjithësi është ylli i skuadrës së Stefano Piolit dhe kur nuk është vendimtar bie menjëherë në sy. 24 vjeçari nga Almada dukej paksa i çuditshëm si nga pikëpamja atletike, ashtu edhe mendore në ndeshjen ndaj Njukasëllit.
Kjo është arsyeja pse në ndeshjet kundër Veronës dhe Cagliarit, në kampionat, portugezi do të pushojë. Ky nuk është një stol ndëshkues, por një logjikë rotacioni që Pioli kishte në mendje ta bënte duke studiuar kalendarin në këtë pjesë të fundit të shtatorit.
Një seancë pushimi mund të jetë e mirë për Leao dhe Giroud për të rikuperuar energjinë e tyre psikofizike. Edhe Ruben Loftus-Cheek do të ulet në stol, i detyruar të përballet me një dëmtim muskular.
Ai do të zëvendësohet nga Yunus Musah. Një lajm i mirë vjen për Menjan. Mjekët konfirmojnë se portieri nuk ka dëmtim por thjesht një tërheqje muskulare në kofshën e majtë.
Francezi megjithatë nuk do të luajë në dy ndeshjet e ardhshme të kampionatit me Veronën dhe Cagliarin. Ai mund të jetë sërish në dispozicion të Piolit për ndeshjen e madhe kundër Lazios më 30 shtator. Pas paraqitjes së mirë në fund të ndeshjes me Newcastle, Sportielo do të jetë një mundësi e mirë në portën e Milanit.