Milan, dy modele për stadiumin e ri
Klubi i Milanit ka blerë zyrtarisht truallin ku do të ndërtojë stadiumin e ri, në San Donato, 10 kilometra larg Milanos.
Dy janë modelet që mendohet të ndiqen, Tottenham Stadium i Londrës dhe “Allianz Arena” i Mynihut, ky i fundit më i mundshmi për shkak të karakteristikave të ngjashme logjistike.
Milani ka blerë truallin mbi të cilin do të ndërtojë stadiumin e ri, në komunën San Donato Milaneze, në rrethinat e Milanos por jashtë juridiksionit të kryeqendrës lombarde. Pas blerjes së truallit po diskutohet se si do të jetë stadiumi i ri i Milanit, që pas 100 vjetësh do të braktisë legjendarin Giuzeppe Meazza në “San Siro”.
Dy janë modelet kryesore që kanë në mendje drejtuesit e klubit, “Tottenham Stadium i Londrës”, i përfunduar vetëm katër vite më parë, dhe “Allianz Arena” i Mynihut.
Ky i fundit është modeli më i mundshëm, për shkak të karakteristikave logjistike të ngjashme me atë që kanë në mendje kuqezinjtë, pasi është shembulli konkret i një stadiumi larg qytetit.
Klubi i Milanit ka në mendje një projekt stadiumi me 70 mijë vende, me vetëm dy unaza, nga tri që ka “San Siro”, vende premium të orientuara përgjatë tribunave e jo në kënde si në “San Siro”.
Veç këtyre, do të instalohen ekranet më të mëdhenj në Itali, do të ketë të paktën tre restorante të brendshme dhe ndenjëset në tribuna do të jenë më të mëdha se ato që hasen zakonisht në Itali.
Për momentin nuk diskutohet për çati apo fushë të lëvizshme, si “Santiago Bernabeu” i Realit. Stadiumi do të jetë i dukshëm nga larg, edhe falë dritave të jashtme që ndryshojnë ngjyrë në varësi të aktivitetit. Pranë stadiumit, do të jetë një muze 3000 metra katrorë, Milan Store, një hotel dhe një pallat i vogël sporti me 3000 vende.