Middlesbrough një “hap” pranë finales së EFL Cup, mund Chelsea-n në ndeshjen e parë të gjysmëfinaleve
Middlesbrough fiton ndeshjen e parë në gjysmëfinalet e EFL Cup ndaj Chelsea-t, me sfidën që u vendos nga goli i Hackney.
Sfida u dominua në pjesën më të madhe nga miqtë, megjithatë fati ishte në anën e vendasve në këtë takim të parë mes tyre.
Ndeshja u zhbllokua në minutën e 37’, ku pas një asisti të bukur nga Jones, Hackney e dërgoi topin në fundin e rrjetës, duke kaluar skuadrën e Middlesbrough në avantazh.
Chelsea provoi në raste të shumta për të gjetur golin e barazimit, por nuk ia doli, me portierin e vendasve që u shfaq i pakalueshëm.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare të futbollit, Armando Broja u aktivizua në minutën e 63’ në vend të Fernandez, por edhe ai nuk mundi të ndryshonte rezultatin e këtij takimi.
1-0 dhe takimi i parë i gjysmëfinaleve të EFL Cup flet për Middlesbrough, ndërsa Chelsea do duhet të fitojë për të prekur finalen, përndryshe Middlesbrough i mjafton të ruajë këtë rezultat dhe është në finale.