Mezani: Gjilani im po ndëshkohet nga gabimet e veta
Trajneri i Gjilanit, Gentjan Mezani, ka thënë pas ndeshjes me Dukagjinin që përfundoi baras, se sërish skuadra e tij ka pësuar humbje nga gabimet që lojtarët e tij kanë bërë, dhe jo nga merita e kundërshtarit.
“Pjesa e parë ishte e mirë për ne, por edhe e dyta nuk ka qenë shumë e keqe. Nuk kemi shfrytëzuar mundësitë tona. Ne joshemi me një gol dhe nuk mundemi ta thyejmë këtë që të shënojmë edhe më shumë e të mos e rrezikojmë ndeshjen. Ka disa ndeshje që ne humbim nga gabimet personale, jo se kundërshtari po e meriton. E kemi ditur se kundërshtari e bazon lojën në forcën e vet. Ne patëm mundësitë tona por u ndëshkuam nga gabimet personale. Ne kishim probleme në mbrojtje. Kanë munguar dy lojtarët në krah, Kqiku dhe Ismajli kanë luajtur vazhdimisht. Aty kishim problemet. Në krahë u rrezikuam gjithë ndeshjen. Por, këta lojtarë ishin dhe u munduan të nxjerrim më të mirën. I falënderoj të gjithë që kanë dhënë maksimumin dhe shpresoj të mos kemi kaq shumë mungesa”, deklaroi Mezani për “ArtMotion”.