
Mexhiti: Nuk do zbatohen fletarrestet e Serbisë për ish-ushtarët e UÇK-së
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka deklaruar se fletarrestet e Serbisë kundër ish-ushtarëve të UÇK-së nuk do të zbatohen më nga policia kufitare e Maqedonisë së Veriut.
Mexhiti ka paralajmëruar se së shpejti do të marrë vendim “për të aplikuar një zgjidhje sistemore, ligjore dhe të përhershme që ish-ushtarët e UÇK-së të mos ndalohen në kufijtë e Maqedonisë së Veriut”.
Duke folur për disa arrestime që ndodhën ditëve të fundit në Shkup për krim të organizuar, Mexhiti tha se shkalla e tolerancës është zero për krimin e organizuar.
Ai ka theksuar se gjyqësia dhe prokuroria ende nuk janë të çliruara dhe janë të kapura, duke penguar zbatimin e ligjeve dhe vendimeve.
Ndërkohë, nga Shoqata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare thonë se Maqedonia e Veriut është shndërruar në vend të pasigurt për ish-ushtarët e UÇK-së.
Përmes një kumtese, ata kërkojnë që të lirohet banori 55-vjeçar i Ferizajit, Emin Bajrami, i cili është arrestuar në pikën kufitare “Bllacë” për shkak të fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Beogradi, raporton rtk.