Met Gala 2025- Një natë e mbushur me stil, histori dhe emocione

Met Gala 2025- Një natë e mbushur me stil, histori dhe emocione

Mbrëmja më ikonike e modës, Met Gala 2025 në Muzeun Metropolitan të Artit në New York  shkëlqeu nën dritat e temës “Superfine: Tailoring Black Style”, një homazh ndaj stilit të zi dhe ndikimit të tij në historinë e modës.

Por ishte Rihanna ajo që rrëmbeu vëmendjen globale, duke konfirmuar shtatzëninë e saj të tretë në mënyrën më te bukur që mund të imagjinohet. Këngëtarja u shfaq në mënyrë madhështore me një fustan të dizajnuar nga Marc Jacobs, duke i dhënë emocion dhe simbolikë një mbrëmjeje të mbushur me stil.

Ky moment u parapri nga intervista e këngëtares Shakira, e cila aksidentalisht zbuloi lajmin përpara se Rihanna ta bënte zyrtare. Ndërkohë, një tjetër figurë ikonike që emocionoi publikun ishte këngëtarja Diana Ross, e cila në moshën 81-vjeçare u paraqit me një veshje mahnitëse të bardhë dhe një matel të gjatë të zbukuruar me emrat e trashëgimtarëve të saj, një gjest i fuqishëm që simbolizonte trashëgiminë dhe dashurinë familjare.

Halle Berry, pas shtatë vitesh mungesë, riktheu hijeshinë në tapetin blu me një fustan transparent nga LaQuan Smith dhe një gjerdan diamanti që Cartier e kishte punuar për më shumë se një mijë orë.

Në një nga pamjet më të paharrueshme të mbrëmjes, Andre u shfaq në tapetin e Met Gala me një piano bardhë e zi në shpinë dhe një qese plehrash si çantë. Reperi i OutKast e dizenjoi vetë pamjen në bashkëpunim me Burberry.

Met Gala e këtij viti nuk ishte thjesht një pasarelë stili, por një shfaqje kulturore e fuqishme mbi identitetin, krenarinë dhe bukurinë e modës së zezë. /rtsh/

Share This