Messi zbuloi se në cilin klub dëshiron të luajë: Gjithmonë kam menduar për këtë ide
Lionel Messi nënshkroi për Inter Miamin si lojtar i lirë këtë verë dhe shënoi 11 gola dhe asistoi në pesë gola tjerë në 12 paraqitje për klubin amerikan.
Edhe pse është në fund të karrierës së tij, argjentinasi nuk po mendon për pension. Në një intervistë për TyC Sports, ai tha se dëshiron të luajë për Newell’s Old Boys, një klub argjentinas për të cilin ai nuk luajti sepse u largua në Barcelonë në moshën 14-vjeçare.
Në klubin katalanas, ai u bë, sipas shumë njerëzve, futbollisti më i mirë në historinë e klubit, transmeton Demokracia.
“Gjithmonë kam menduar për një ide, që është të shijoj futbollin argjentinas duke luajtur, si kampion bote, për Newell’s”, ka thënë Messi, duke shtuar se as që e mendon fundin e karrierës.
“Nuk mendoj se çfarë do të bëj pas karrierës sime. Dua të bëj atë që më pëlqen. Nuk mendoj për të ardhmen. Do ta shijoj sa më shumë. Më pëlqen të luaj futboll”, shtoi fituesi i shtatë çmimeve të Topit të Artë për lojtarin më të mirë në botë.
Kontrata e Messit me Miamin është deri në verën e vitit 2025. Gjatë karrierës së tij të pasur, ai fitoi 35 trofe me Barcelonën, tre me PSG dhe një me Miamin. Me Argjentinën ishte kampion bote në Katar dhe fitoi edhe Kupën e Amerikës.