Messi-Ronaldo, Jordan-Magic Johnson
Nga Eduard ZALOSHNJA
Për “Topa të Artë”, Mesi ia ka kaluar Ronaldos – 7 me 5 deri tani. Por për pasuri të akumuluar deri më sot, Ronaldo ka epërsi ndaj Mesit, rreth 100 milionë euro.
Këtë epërsi Ronaldos ia ka dhënë kontrata e fundit arabe, që i garanton 200 milionë euro në vit minimumi. Ndërsa kontrata e fundit amerikane e Mesit, i garanton atij vetëm 50 milionë euro në vit minimumi. Me sa duken bathët deri më sot, Ronaldo do të ketë epërsi ndaj Mesit financiarisht deri në përfundim të karrierës së tyre sportive. Por a do ta ketë ai këtë epërsi në dekadat në vazhdim?
Për të bërë një ekstrapolim në avancë rreth kësaj pyetjeje, duhet të shohim prapa në historinë e sportit, në duelin sportiv mes Michael Jordan dhe Earvin “Magic” Johnson. Johnson ishte një basketbollist kaq magjik sa i ngjitën nofkën “Magic Johnson”. Rrogat vjetore të klubit për të ishin rekord absolut për kohën, sepse ai ishte “magjik”. Edhe pagat e kompanive për reklamat e lidhura me të ishin magjike. Por ato u ndërprenë pasi ai u tërhoq nga basketbolli aktiv. Dhe sot ai ka një pasuri 0.8 miliard dollarë, sipas “Forbes Magazine”.
Ndryshe qëndron puna me Michael Jordan: Nga 2.2 miliardë dollarë që ai zotëron sot, vetëm 0.1 i kanë ardhur nga rrogat e klubit dhe 0.4 nga reklamat gjatë kohës që ishte aktiv në fushën e basketbollit. Arsyeja: mamaja e tij i kërkoi kompanisë së re (në atë kohë) “Nike”, që Michael Jordan të merrte 2.5% të vlerës së çdo këpuce, bluze, etj., etj., që kompania do të shiste në pafundësi, në qoftë se Jordan do të firmoste me “Nike”. Dhe sot, “Nike” dominon 70% të tregut botëror të veshjeve sportive, ndërkohë që kishte vetëm 3% kur Jordan firmosi marrëveshjen dikur…
Dhe vijmë tani te Leo Mesi. Ai ka nënshkruar një kontratë të ngjashme me të Jordanit, që nuk është gjigante në të tashmen, por që mund të jetë supergjigante në dekadad vijuese…