Messi i lumtur për sezonin e tij të parë në MLS: Jam krenar për atë çfarë kemi arritur

Messi i lumtur për sezonin e tij të parë në MLS: Jam krenar për atë çfarë kemi arritur

Për “pleshtin” Lionel Messi sezoni i tij i parë në kampionatin amerikan të futbollit, MLS mund të quhet i mbyllur, me 7 herë fituesin e “Topit të Artë”, që iu bashkua në verë klubit të tij Inter Miami, kur sezoni kishte luajtur një pjesë të madhe të tij.

Pavarësisht sforcos dhe nisjes së shkëlqyer me skuadrën e David Beckham, në fund klubi nga Florida nuk mundi të siguronte një vend në “play off”. Por Messi nuk e ka quajtur një zhgënjim gjysmësezonin e tij në Majami.

“Jam krenar për atë çfarë kemi arritur në këtë sezon. Me punën dhe mundimin e të gjithëve mundëm të fitonim trofeun e parë në historinë e klubit, arritëm në një tjetër finale Kupe dhe iu afruam shumë ‘play off’-it, duke luftuar praktikisht deri në ndeshjen e fundit. Tani objektivi ynë është të punojmë edhe më fort që sezoni i ri të jetë më i suksesshëm.

Dua të falënderoj të gjithë në Majami për mbështetjen që më kanë dhënë dhe më kanë bërë të ndihem si në shtëpi. Jam i bindur se së bashku do të fitojmë shumë në të ardhmen”, u shpreh “pleshti” me anë të një postimi në profilin e tij zyrtar në “Instagram”.

Share This