Messi i dha fund eksperiencës brilante evropiane, me magjinë e tij ia solli Inter Miamit trofeun e parë
Futbolli evropian e humbi një lojtar të madh në vitin 2023.
Pasi fitoi gjithçka të mundshme me Barcelonën dhe me Paris Saint-Germainin, Lionel Messi i dha fund eksperiencës së lavdishme evropiane për të shkuar përtej Atlantikut.
36 vjeçari kishte mundësi të rikthehej në Camp Nou, por në fund e zgjodhi një opsion më të qetë, pa stres e pa presion, e besa edhe pa lodhje të madhe, shkruan “Express”.
Tetë herë fituesi i Topit të Artë e pranoi ofertën e Inter Miamit, ku njëri prej pronarëve është legjenda angleze, David Beckham.
Dhe, kampioni i botës la menjëherë gjurmë në futbollin amerikan.
Argjentinasi ia siguroi ekipit të tij të ri trofeun e parë në histori pasi triumfoi në Leagues Cup.
Ai që po konsiderohet si futbollisti më i mirë në histori, me shokët e tij në finale e mposhtën ekipin Nashville përmes penaltive (10:9) pasi 90 minutat e lojës u mbyllën baras, 1:1.
Messi shënoi gola të rëndësishëm për ekipin nga Miami në këtë kompeticion, në total 10 gola në 7 ndeshje, për ta fituar trofeun e 44-t në karrierë dhe për tu bërë kështu lojtari më i trofeshëm në histori të futbollit pasi e kaloi ish-bashkëlojtarin e tij, Dani Alves, i cili i ka 43 trofe.
Sidoqoftë, Messi, bashkë me ish-shokët e skuadrës, Sergio Busquets e Jordi Alba, nuk u treguan dhe aq të suksesshëm në ligën Major League Soccer, ku nuk arritën të kualifikoheshin në “play-off”.
Tash, me përforcimin Luis Suarez, me të cilin ishte super-tandem i sulmit në “Camp Nou”, Messi synon të fitojë përsëri trofe me Inter Miamin.