Messi e mbyll me futbollin e luajtur deri në… shkurt
Mesi rikthehet në fushë, por Inter Majemi humbet përballë Sinsinatit duke humbur shanset për të qenë pjesë e fazës “playoff”.
Me fjalë të tjera ylli argjentinas do të jetë i detyruar që të bëjë disa muaj pushim pasi edicioni i ri i MLS-së amerikane ende nuk ka një datë zyrtare nisjeje.
Edicioni aktual nisi më 25 shkurt dhe për këtë motiv mendohet se edhe sezoni i ri ai i 2024 mund të startojë në fund të muajit shkurt ose në fillim të muajit mars të vitit që vjen.
Inter Majemi është zyrtarisht jashtë MLS-së, ku kanë mbetur dhe dy ndeshje për t’u luajtur, por me matematikën që e ndalon skuadrën nga Florida për të arritur fazën “play off”.
Skuadra e drejtuar nga Tata Martino u mund në shtëpi nga Sinsinati i vendit të parë me rezultatin 0-1, duke i “thyer” ëndrrën Mesit me shokë për të fituar titullin e parë të MLS-së në histori.
Argjentinasi u rikthye nga dëmtimi që kaloi, duke hyrë në fushë në minutën e 55’ të sfidës, por në minutën e 78’ Barreal kaloi në avantazh miqtë duke ruajtur rezultatin më pas deri në fund.
Në fund të takimit gazetarët pyetën Tata Martinon nëse Mesi do të rikthehej në Barcelonë në formë huazimi për të mos humbur formën. Ndërsa përgjigja e trajnerit argjentinas ishte: “Mendoj se ai mund të kthehet në Barcelonë për kaluar kohën më të afërmit dhe miqtë që ka atje, por jo për të luajtur futboll. Në këtë pjesë nuk mund të jap një përgjigje pasi nuk di asgjë”.