
Messi: Dua të luaj Botërorin e 6-të në karrierë, rikthimi te Barça mbeti një ëndërr
Pas një viti, Lionel Messi mund të bëhet futbollisti i parë që do të luajë në gjashtë edicione të Kupës së Botës, përkrah rivalit të përjetshëm Cristiano Ronaldo.
Ndërkohë, të dy po vazhdojnë garën e tyre për të arritur 1000 gola si profesionistë, me CR7 aktualisht përpara, ndonëse me një karrierë më të gjatë deri tani.
Argjentinasi, kampion bote në fuqi dhe aktualisht tek Inter Miami, dha një intervistë për “Simplemente Futbol” ku ka folur për mundësinë e pjesëmarrjes në edicionin e Botërorit 2026 në Kanada, Meksikë dhe SHBA.
“Natyrisht që mendoj për Kupën e Botës dhe mundësinë për të qenë atje, por jetoj dita-ditës. Duhet të jem i sinqertë me veten për të kuptuar nëse mund të jem apo jo. Më pëlqen ajo që bëj, jam rritur me një top dhe do të jetë gjithmonë kështu, përtej të qenit lojtar apo jo. Për aq kohë sa mundemi, më pëlqen”, tha 37-vjeçari.
Lionel Messi ka zbuluar një histori nga prapaskenat e merkatos: “Pas PSG-së, doja të kthehesha te Barcelona, një vend ku gjithmonë doja të isha por nuk ishte më e mundur. Në atë moment ishte e qartë se nuk do të shkoja në asnjë ekip tjetër evropian”, ka thënë ylli argjentinas.