Mesfushori i Gjermanisë e thotë troç: S’mund të jetë më keq se kaq
Gjermania humbi edhe ndaj Austrisë (0-2) në miqësore duke treguar formë të dobët shtatë muaj para Europianit.
Në 10 ndeshjet e fundit numërohen 6 humbje dhe vetëm 2 fitore.
Ilkay Gundogan, kapiteni i “Mannschaft”, duke folur për transmetuesin ZDF, nuk e fshehu zhgënjimin për këtë krizë rezultatesh: “Nuk mund të jetë më keq se tani. Ndoshta kjo është pika e vetme pozitive.
Duhet të pranojmë se problemi nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen. Gjithçka fillon kur ne ushtrojmë presion lart në fushë. Kështu u dhamë austriakëve lojën që dëshironin”, shtoi ai.
Austria shënoi me Baumgartner dhe Sabitzer, por mund të kishte bërë më shumë, pasi tentoi gjithsej 16 goditje, 7 prej të cilave në portë. Nga ana e saj, skuadra e drejtuar nga Julian Nagelsman ka realizuar vetëm 8 goditje, 3 prej tyre në portë.
Momenti për t’u shënuar ishte përjashtimi me karton të kuq direkt i Leroy Sanésë, pas një mosmarrëveshjeje me Philipp Mëene.
“Kartoni i kuq i Leroy-t e përmbledh ndeshjen tonë. Është zhgënjim. Ne i bëmë gjërat shumë më të lehta për austriakët”, tha Gundogan për incidentin.
Gjermania do të organizojë Euro 2024 dhe për këtë arsye nuk ka marrë pjesë në kualifikueset për këtë turne madhor.
Si mikpritëse, është gjithashtu pjesë e vazos A të shortit për fazën finale të turneut, ashtu si Portugalia, Franca, Belgjika, Spanja dhe Anglia.