Mes krizash e sfidash, gjermanët zgjedhin qeverinë e re

Mes krizash e sfidash, gjermanët zgjedhin qeverinë e re

Gjermanët votojnë më 23 shkurt për të zgjedhur një parlament të ri, që do të përcaktojë se si do të udhëhiqet vendi në katër vjetët e ardhshëm.

Ekonomia më e madhe e Evropës është vendi më i populluar i Bashkimit Evropian – me 27 vende anëtare gjithsej – dhe një nga anëtarët kryesorë të NATO-s.

Gjithashtu, është furnizuesja e dytë më e madhe e Ukrainës me armë, pas Shteteve të Bashkuara.

Qeveria e ardhshme e Gjermanisë do të jetë në qendër të përgjigjes së Evropës ndaj administratës së re të SHBA-së, të udhëhequr nga presidenti Donald Trump.

Çfarë ndodh në ditën e zgjedhjeve?

Vendvotimet hapen në orën 8 të mëngjesit dhe mbyllen në orën 18:00.

Gjermanët mund të votojnë edhe me postë, por fletëvotimet e tyre duhet të mbërrijnë deri në kohën kur qendrat e votimit të mbyllen në ditën e zgjedhjeve, në mënyrë që të numërohen.

Menjëherë pas përfundimit të votimit do të dalin exit poll-et e para dhe do të nisë numërimi i votave.

Tabloja e përgjithshme e rezultateve duhet të jetë e qartë shumë shpejt.

Rezultati përfundimtar zyrtar, ndërkaq, pritet të hënën herët.

Kush janë garuesit?

Për kancelar të ardhshëm të Gjermanisë konkurrojnë katër kandidatë: kancelari aktual, Olaf Scholz, nga Social-Demokratët e qendrës së majtë; Friedrich Merz, kandidat i partisë kryesore konservatore, Unioni Demokristian; zëvendëskancelari aktual, Robert Habeck, nga Të Gjelbrit, dhe Alice Weidel e partisë së ekstremit të djathtë, Aleternativa për Gjermaninë (AfD).

Sondazhet parazgjedhore e nxjerrin Unionin e Merzit në krye, me rreth 30 për qind të votave, ndërsa AfD-në të dytën me rreth 20 për qind. Social-Demokratët e Scholzit dhe Të Gjelbrit e Habeckut janë më mbrapa.

Merz është favorit për ta zëvendësuar Scholzin si kancelar, por nuk është ende e qartë se cilat koalicione qeverisëse do të jenë të mundshme pas zgjedhjeve.

Se sa lehtë do të jetë të formohet qeveria e re, do të mund të varet pjesërisht edhe nga numri i partive në parlamentin e ri.

Të gjitha partitë kryesore thonë se nuk do të punojnë me AfD-në.

Kush dhe për çka voton?

Së paku 59.2 milionë njerëz nga 84 milionë sa ka Gjermania gjithsej, kanë të drejtë të votojnë për Bundestagun e ri, ose Dhomën e Ulët të Parlamentit.

Pastaj, është Bundestagu me 630 anëtarë ai që do të zgjedhë kancelarin e ardhshëm.

Në fletëvotim janë 29 parti, por gjasat janë që pesë deri në tetë prej tyre të marrin vota të mjaftueshme për të fituar ulëse në parlament.

Në shumicën e rasteve, partitë duhet të fitojnë së paku 5% të votave për të siguruar një numër ulësesh. /REL/

Share This