Merz: Asnjë iluzion për një përfundim të shpejtë të konfliktit në Ukrainë

Merz: Asnjë iluzion për një përfundim të shpejtë të konfliktit në Ukrainë

Kancelari gjerman Friedrich Merz tha sot se nuk ka “asnjë iluzion për një përfundim të shpejtë të luftës së Rusisë në Ukrainë”.

“Mund të na duhet të përgatitemi për një kohëzgjatje”, tha Merz, pas bisedimeve me kryeministrin finlandez Petteri Orpo në qytetin jugperëndimor finlandez të Turkut.

”Gjatë historisë, konfliktet zakonisht kanë përfunduar kur njëra ose të dyja palët kanë arritur shterimin, qoftë ushtarakisht apo ekonomikisht”, tha Merz.

“Ne jemi padyshim ende shumë larg kësaj në këtë luftë”, argumentoi ai.

Kancelari gjerman, i cili mori detyrën në fillim të këtij muaji, këmbënguli se mbështetja për Ukrainën do të vazhdojë.

”Lufta nuk ka të bëjë vetëm me integritetin territorial të Ukrainës”, sugjeroi ai.

“Rendi politik që vendosëm së bashku me Rusinë pas vitit 1990 po vihet në pikëpyetje”, tha Merz.

69-vjeçari tha se përpjekjet e përbashkëta të Bashkimit Evropian, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara në tre javët e fundit për të ushtruar presion mbi Rusinë që të bjerë dakord për një armëpushim kanë qenë të pasuksesshme.

“Megjithatë, nuk kisha iluzione që në fillim se kjo do të ndodhte shumë shpejt”, tha Merz, duke shtuar se Rusia nuk ka interes për një armëpushim në këtë moment.

“Si pasojë, kjo do të thotë që Ukraina duhet të vazhdojë të mbrohet dhe se ne duhet të intensifikojmë përpjekjet tona në mënyrë që Ukraina të mund të mbrohet”, tha kancelari. /atsh/

Share This