“Merre ose lëre”, Marco Reus ka dy oferta të mëdha në tavolinë para largimit nga Dortmundi
Marco Reus do t’i ketë në tavolinë dy oferta të mëdha për hapin e tij të ardhshëm në karrierë, para largimit të tij nga Borussia Dortmundi.
Reus do të largohet nga Dortmundi në fund të sezonit kur të skadojë kontrata e tij, pasi iu bashkua klubit gjerman nga Borussia Monchengladbach në vitin 2012.
“Kam kaluar më shumë se gjysmën e jetës sime tek ky klub dhe e kam shijuar çdo ditë. Do ta kem të vështirë që të them lamtumirë në fund të sezonit”, kishte thënë Reus.
Është raportuar gjerësisht se Reus ka mbajtur bisedime paraprake me ekipin amerikan St.Louis City.
Në të vërtetë, Reus është një mik i ngushtë i portierit të St.Louis, Roman Burki, i cili kaloi shtatë vite tek Dortmundi para se të transferohej në MLS rreth dy vite më parë.
Sidoqoftë, Sky Germany ka raportuar se përveç St. Louis, Reus ka dy oferta edhe nga Inter Miami dhe Al Nassr që janë të interesuara për yllin gjerman.
Kjo do të thotë se Reus do të duhej të vendoste që të luante përkrah Leo Messit tek Inter Miami, apo përkrah Cristiano Ronaldos tek Al-Nassr.
Megjithatë, siç shton raporti Reus nuk do të marrë asnjë vendim përfundimtar lidhur me të ardhmen e tij, pasi momentalisht fokusi është tek finalja e Ligës së Kampionëve ndaj Real Madridit./Telegrafi/