Merr fund rrugëtimi i Malishevës në Evropë, pëson humbje nga Buducnosti
Malisheva është bërë skuadra e parë kosovare që i ka dhënë fund pjesëmarrjes në garat evropiane, duke u eliminuar në raundin e parë kualifikues për Ligën e Konferencës.
Pavarësisht fitores 1:0 në “Zahir Pajaziti”, Malisheva s’arriti t’i bëjë ballë Buducnostit në ndeshjen kthyese duke pësuar humbje me rezultat 3:0.
Malisheva e nisi mjaftë mirë duke rrezikuar në minutat e parë, por që s’ia dolën ta finalizojnë aksionin.
Ishte Ivanovic që shënoi nga afërsia për t’i dhënë epërsinë Buducnostit pasi Grbic kreu tërë punën duke dribluar deri te rrjeta (32’).
Malisheva tentoi të këndellet mirëpo që assesi s’arritën ta thyenin mbrojtjen e skuadrës malazeze.
Kur askush s’e priste, Grivic shënoi një gol të jashtëzakonshëm, ku pas një intervenimi të dobët të portierit, goditja që ishte paraparë të ishte harkim përfundoi brenda rrjetës (56’).
Malisheva pas kësaj provoi deri në fund që ta përmbyste epërsinë e Buducnostit, ose së paku ta dërgonte ndeshjen në vazhdime mirëpo assesi s’ia doli.
Kur klubi kosovar po sulmonte, vendasit zhvilluan edhe një kundërzbritje për ta vulosur fitoren. Ishte Vladimir Perisic që vulosi fitoren me një goditje precize (89′).
Kësisoj, Malishevës tani i mbetet të fokusohet në sezonin 2024/25 në Superligën e Kosovës me synimin që ta sigurojë prapë Evropën për vitin tjetër.