Mërgim Vojvoda: Kemi 20 super lojtarë, Kosova mund të kualifikohemi në një ngjarje të madhe
Mërgim Vojvoda të dielën ishte pjesë e emisionit “Koha Shtesë”.
Vojvoda i cili luan si mbrojtës krahu tek Torino, këtë fundjavë zhvilloi paraqitjen e 100-të me klubin “ Granata” ku diskutoi lidhur me këtë moment individual, qëllimet që Torino ka për këtë edicion si dhe gjithashtu për përfaqësuesen e Kosovës dhe se kush duhet të jetë drejtuesi i ardhshëm sipas tij.
Keni arritur shifrën e 100 paraqitjeve për Torino, si e keni përjetuar këtë moment?
“Është krenari, kur kam ardhur fillimi nuk ka qenë i lehtë, mendoj se nuk është diçka e vogël dhe jam shumë krenar, gjithmonë kam pasur dëshirë të kem një fanellë me numrin 100 për të simbolizuar paraqitjet e mia për një skuadër.“
Si kanë qenë për skuadrën dhe ju këto tri vite?
“Besoj se në tre vitet e fundit kemi bërë shumë si skuadër dhe vetë shoh dallimin edhe tek vetja, në fillim e kisha të vështirë të adaptohesha por më pas ia dola, kur je më i ri janë disa gjëra të cilat nuk i ke parasysh por në të ardhmen i kupton më mirë, por mendoj që këto tre vite më kanë ndihmuar shumë, kam përfituar përvojë dhe siguri.”
Torino po kalon një moment të vështirë, a është qëllimi juaj kualifikimi në Europë?
“Ai është qëllimi kryesor shpresoj që të jemi edhe më lartë të arrijmë Europën, Duvan Zapata na ka ndihmuar shumë që nga kur erdhi nga Atalanta.”
Çfarë ndryshime prisni tek Kosova, çfarë mendoni se duhet të jetë hapi i ardhshëm për përfaqësuesen?
“Ne presim që të ketë ndryshime dhe ne e dimë kualitetin që kemi, ne kemi kualitetin që të kualifikohemi por kemi parë që vetëm talenti nuk mjafton për tu kualifikuar, ne duhet të mësojmë nga përfaqësuese si Maroku. Ne kemi më shumë se vetëm 11 lojtarë të cilët mund të na ndihmojnë që ndoshta të kualifikohemi për kampionatin botëror. Normalisht, do të thotë shumë trajneri se kush do të jetë, por mendoj sa duhet struktura dhe disiplina e skajshme. Ne kemi shumë cilësi brenda grupit, ngase nuk jemi vetëm 11 lojtarë por 20 super lojtarë ”
A mund të na tregosh pak edhe për aspektin sentimental?
“Çfarë të them më shumë. Jam beqar, jam i hapur për lidhje serioze, jam djalë serioz, mirëpo duhet të them se nuk ndihem shumë i vetmuar sepse e kam familjen time këtu me të cilët po kalojë momente shumë të mira”, tha në fund Vojvoda.