“Mendova tërheqjen”, Morata: Tani nuk më interesojnë komentet e njerëzve në market!
Alvaro Morata duket një futbollist i “rilindur” në këtë sezon teksa sulmuesi ia ka dalë të shënojë pesë gola në shtatë ndeshjet e para të Atletico Madrid në LaLiga.
Megjithatë, karriera e ish-sulmuesit të Juventus nuk ka qenë një “fushë me lule” dhe së fundmi, 30-vjeçari zbulon se e ka menduar tërheqjen nga futbolli duke theksuar se më parë komentet negative i rëndonin shumë në aspektin psikologjik.
“Tani nuk më intereson aspak se çfarë thonë njerëzit që nuk më njohin gjatë kohës që jam duke bërë pazar në market. Më është dashur shumë të punoj që të përmirësoj mendimet e mia, sot jam krenar që vazhdoj edhe pse në të kaluarën nuk kam pasur forcë dhe energji. Dua të falenderoj familjen dhe personat me të cilët kam punuar.
Kam kaluar një periudhë shumë të keqe, mendoja tërheqjen nga futbolli. Por, si mund t’ia shpjegoja më pas fëmijëve se u tërhoqa për shkak të fjalëve të njerëzve? Jam krenar që mund t’iu them atyre historinë time, nuk e di nëse tani jam një lojtar më i mirë apo më i keq, por unë e di se jam munduar dhe kam bërë maksimumin”, tha Morata.