Mehmetaj ia nxori letrën publikisht, Maqedonci në luftë me faktet e veta: Nuk iu rizotova KFOR-it, ishte sqarim
Gazetari Lirim Mehmetaj ia nxori publikisht letrën – gati se ‘vajtuese’ – ku rizotohet te KFOR-i se nuk dërgohet FSK-ja në veri dhe shpreh “gabimin” e bërë në dërgimit të disa ushtarëve për një ceremoni varrimi të vëllaut të Lulzim Hetemit, Behxhet Hetemit, por Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e mohon kategorikisht të jetë rizotuar.
Ndonëse shkruhet me të zezë në të bardhë – Maqedonci e quan thjesht “sqarim”.
Ja postimi i plotë:
S’ka rizotim, por sqarim
Asgjë të re për publikun nuk paraqet letra dërguar Komandantit të KFOR-it për ngjarjen e 24 Nëntorit të vitit 2024, kur Garda Ceremoniale ishte angazhuar në veri të vendit në një cermoni mortore.
Qëllimi i letrës së dërguar është sqaruar edhe më parë dhe ai mbetet i vlefshëm sepse është i vërtetë. Letra në fjalë është dërguar me qëllimin që t’i sqarohen Komandantit të KFOR-it rrethanat e angazhimit të një njësie të FSK-së në njërën nga komunat në veri të vendit, si dhe ta siguroj atë që nuk ka pasur për qëllim në asnjë rast tensionimin e situatës. Në asnjë mënyrë, letra nuk paraqet rizotim dhe nuk mund të interpretohet si rizotim, pasi për angazhimin e FSK-së në veri të Kosovës, ekziston një dokument në fuqi i dhënë si zotim nga ish-Kryeministri Thaçi në prill të vitit 2013, dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, nga i cili derivojnë dhe kushtet e operimit e të koordinimit të FSK-së dhe KFOR-it për pjesën veriore të Kosovës.
E ritheksoj, ashtu siç e kam thënë në çdo paraqitje timen publike, që personalisht nuk pajtohem me atë zotim, pasi vazhdoj të mendoj se ka qenë zotim i gabuar dhe i dëmshëm për ushtrinë tonë, si dhe me pasoja afatgjata. Mirëpo ashtu siç e kemi deklaruar si Ministri e Mbrojtjes dhe si Qeveri e Kosovës, letrën zotuese të vitit 2013 do ta respektojmë, sepse jemi të përgjegjshëm karshi obligimeve të trashëguara institucionale për aq kohë sa janë në fuqi.
Përgjegjësi e imja dhe e Komandantit të KFOR-it tani kur veçse ekziston zotimi i vitit 2013 i dhënë nga ish Kryeministri Thaçi, është që të sigurojmë njëri-tjetrin që do të bëjmë veprimet e nevojshme për të garantuar që angazhimi ynë ushtarak në veri të bëhet në mënyrë të koordinuar.