Mediet kroate pas humbjes se Dinamos: Një nga humbjet më të turpshme
Humbja e Dinamos se Zagrebit kundër Ballkanit, është përjetuar keq në Kroaci, sidomos në kryeqytetin e këtij shteti.
Ballkani mbrëmë befasoi gjigantin kroat duke e mposhtur me rezultat 2-0 në “Fadil Vokrri” dhe duke marrë tre pikëshin e parë në grupin C të Ligës së Konferencës.
Tashmë mediet kroate që kanë nisur të aludojnë për shkarkimin e trajnerit të Dinamos së Zagrebit, boshnjakut Sergej Jakiroviç, nuk kanë treguar mëshirë as për skuadrën.
“Turpërim në Kosovë, Dinamo humb nga Ballkani në Conference League”, shkruan “DvadesetiçetiriSata”.
“Index.hr” e ka vlerësuar të turpshme humbjen e Dinamos së Zagrebit dhe si titull kryesor është vendosur: “Ballkani-Dinamo 2-0, një nga humbjet më të turpshme në kompeticionet evropiane të Dinamos”.
Ndërkohë, gazeta “Vecernji” ishte më e ashpër në titullin e saj: “Dinamo është katastrofë, përjetoi një turp të rëndë në Kosovë, u mund nga lojtarë anonimë të futbollit”.