Mediet italiane: Conte firmos me Napolin
Antonio Conte do të jetë trajner i Napolit prej sezonit të ri, kanë njoftuar mediumet italiane të hënën.
Është bërë me dije se palët kanë arritur marrëveshjen dhe kanë firmosur kontratën, por zyrtarizimi do të bëhet gjatë ditëve në vijim.
Conte ka firmosur kontratë trevjeçare me Napolin dhe do të ketë pagë vjetore prej shtatë milionë eurosh plus një milionë euro bonuse nëse arrihen objektivat.
Ish-trajneri i Italisë synon të jetë i suksesshëm me Napolin, ekip që në sezonin 2022/23 e fitoi titullin e kampionit të Italisë.
Për Conten, Napoli është ekipi i gjashtë që do ta udhëheq në Itali pas Arezzos, Barit, Atalantas, Sienas, Juventusit e Interit. Ai gjithashtu, ka punuar edhe në Angli, ku ka qenë trajner i Chelseat dhe Tottenhamit.
Sezonin 2023/24, Napoli ka përfunduar në pozitën e dhjetë në Serie A.