“Më jep topin”, Sancho nis polemikat edhe te Dortmund
Jadon Sancho kaloi këtë merkato të janarit nga Manchester United te Borussia Dortmund.
Britaniku kishte probleme me trajnerin Erik ten Hag në radhët e “Djajve të Kuq” teksa holandezi e la për disa muaj jashtë skuadre për arsye disiplinore.
Por, kur dukej se të tilla probleme në karakterin e sulmuesit ishin lënë pas, Sancho sërish shfaq doza nervozizmi edhe me fanellën e verdhezinjve. Në ndeshjen ndaj Koln, Sancho fitoi një penallti dhe Fullkrug mori topin për të goditur.
Menjëherë, ish-lojtari i United u afrua dhe tentoi t’ia merrte topin sulmuesit, por ky i fundit nuk e lejoi. Fullkrug goditi dhe shënoi teksa Sancho festoi së bashku me shokët, por gjesti la një shije të hidhur.
Sancho e kishte vetëm ndeshjen e dytë me Dortmund pas rikthimit në Gjermani ndërsa është në kërkim të golit të parë.