“Më besoni, Milani është skuadër e fortë”, Pioli: Vuajtëm elimiminin në Europë dhe derbin!
Pas katër ndeshjesh pa fitore, Milan u rikthye te suksesi në kampionat teksa mposhti në San Siro, Cagliarin me rezultatin 5-1.
Kuqezinjtë hedhin pas krahëve një periudhë të errët teksa edhe trajneri Stefano Pioli në konferencë për shtyp theksoi se shpreson të rikthehet ambienti pozitiv brenda skuadrës ndërsa shtoi se për të ardhmen, ende nuk ka një vendim.
“Për fat të keq nuk ishim të zotët të kishim një vazhdimësi në rezultate që të konkuronim Inter, por ju garantoj se kjo skuadër është e fortë. Për ne ishte shumë e rëndësishme që të ktheheshim te fitorja, e vuajtëm shumë eliminimin nga Europa League, por edhe humbjen në derbi. I falenderoj djemtë sepse zhvilluan një ndeshje me shumë vendosmëri dhe sakrificë.
E ardhmja? Nuk jam ndjerë vetëm në këto javë, kam një marrëdhënie shumë të mirë me drejtuesit. Nuk kam folur ende me ta sa i takon të ardhmes, mendoj se do të ulemi të bisedojmë para se të përfundojë kampionati apo në momentin e parë pasi të mbarojnë ndeshjet. Shpresoj që ambientit milanist t’i rikthehet sërish entuziazmi i duhur për të kaluar momentet e vështira dhe për të shkuar drejt objektivave të rinj”, u shpreh Pioli.