Me 25 kg kokainë në makinë, shqiptari humb jetën gjatë ndjekjes nga policia në Itali

Me 25 kg kokainë në makinë, shqiptari humb jetën gjatë ndjekjes nga policia në Itali

Një ndjekje me shpejtësi të lartë përfundoi në tragjedi mbrëmjen e së shtunës në zonën rurale Tre Cancelli, në komunën e Nettuno-s, afër Romës.

Një 38-vjeçar shqiptar humbi jetën pasi makina me të cilën po i ikte policisë doli nga rruga dhe u përplas me një shtyllë telefoni.

Ngjarja ndodhi rreth orës 20:30, kur dy patrulla policie vunë re dy automjete që po udhëtonin me shpejtësi të madhe.

Forcat e rendit nisën ndjekjen e mjeteve, duke arritur të ndalonin njërën prej tyre, një Fiat 500. Në bordin e kësaj makine ndodhej një 26-vjeçar italian, i cili u arrestua menjëherë.

Ndërkohë, makina tjetër, e cila drejtohej nga 38-vjeçari shqiptar, devijoi në një rrugë me dhe, duke lënë pas një re të dendur pluhuri që pengoi përkohësisht ndjekjen nga policia.

Pak minuta më vonë, automjeti doli nga rruga dhe u përplas me forcë në një shtyllë telefoni, duke u përmbysur.

Për shoferin shqiptar nuk mund të bëhej asgjë – ai humbi jetën në vendin e ngjarjes. Trupi i pajetë u transportua në morgun e spitalit “Tor Vergata”.

Pranë makinës së aksidentuar, policia gjeti një çantë që përmbante rreth 25 kilogramë kokainë, të ndarë në 23 pako.

Hetimet paraprake sugjerojnë se të dy të rinjtë ishin duke transportuar lëndë narkotike gjatë ndjekjes.

26-vjeçari italian është dërguar në burgun e Velletri-t dhe po përballet me akuzën e bashkëpunimit në posedimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, raporton periskopi.

Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të përcaktuar të gjitha përgjegjësitë e përfshira në këtë rast.

Share This