
Më 2 qershor në Hagë pritet beteja vendimtare: A do të hidhet poshtë aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve?
Protesta e veteranëve të UÇK-së, bëri që kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ta anulonte konferencën për media.
Interesimi i gazetarëve ishte i madh për të adresuar shumë pyetje, në fazën e rëndësishme të procesit ku është aktualisht gjykimi ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Megjithatë, bazuar në situatën aktuale, të paktën edhe për disa ditë do të ketë “qetësi para stuhisë”.
Zyra për media e Gjykatës Speciale ka bërë të ditur se avokatët e krerëve të UÇK-së do të kenë afat, deri më 2 qershor për të dorëzuar mocionet për hudhjen e aktakuzës, ose disa pikave të aktakuzës.
“Ende nuk e dimë se kur do të paraqitet kërkesa. Trupi Gjykues e caktoi afatin deri më 2 qershor ose 14 ditë pasi Trupi Gjykues mori vendimin e tij të fundit mbi pranimin e provave”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.
Gjykata Speciale ka pretenduar se mocionet për hudhjen e aktakuzave do të bëhen vetëm me shkrim. Pavarësisht, se ishte diskutuar mundësia që ato të mbrohen edhe gojarisht në një seancë për media.
Prokuroria do të ketë 1 muaj kohë pas 2 qershorit për të dhënë përgjigje, dhe më pas gjyqtarët do ta trajtojnë kërkesën.
“Kërkesa do të paraqitet vetëm me shkrim. Prokuroria do të ketë më pas mundësinë t’i përgjigjet asaj, gjithashtu me shkrim dhe brenda 30 ditëve. Pas kësaj, Trupi Gjykues do të fillojë shqyrtimin e kërkesës”, thuhet në përgjigje për Nacionalen.
Tek pasi të merret një vendim nga gjyqtarët, mbrojtësi i viktimave do të fillojë me rastin e tij. Ai ka bërë të ditur se do të ketë 2 deri në 4 dëshmitarë, të cilët do të dëgjohen në gjykatore.
Në seancën e fundit, u urdhërua mbrojtësi i viktimave që deri më 28 maj të dorëzojë listën me dëshmitarë.
Trupi gjykues në anën tjetër, ka bërë të ditur se nuk kanë ndërmend të thërrasin ndonjë dëshmitarë në këtë proces.
Në seancën e fundit, u tha se mbrojtja e Thaçit synon t’i ftojë deri në 10 dëshmitarë.
“Unë kam thënë që do kemi deri në 10 dëshmitarë, por nuk mund t’ua them me siguri”, tha avokati i Thaçit, Luka Misetiq.
Bazuar në këto zhvillime, një vendim në shkallën e parë, vështirë të pritet para marsit të vitit të ardhshëm. Megjithatë, kjo varet se sa dëshmitarë do të ftojnë avokatët e tjerë, dhe sa do të marrë koha vendimi për mocionin e hudhjes së aktakuzës.
Kujtojmë se disa ditë, Gjykata Speciale i ka pushim në muajt e verës, si rezultat, procesi mund të shtyhet. Deri atëherë, avokatët janë në hartim të mocionit, pasi sipas tyre, Prokuroria ka dështuar t’i vërtetojë akuzat e veta.