McDonagh: Ismail Kadare, shkrimtari evropian që e meritonte çmimin Nobel
Shkrimtarja irlandeze dhe kritikja e artit, Melanie McDonagh ka rrëfyer përmes një shkrimi takimin e saj me shkrimtarin e madh, Ismail Kadare i cili u largua nga jeta më 1 korrik në moshën 88-vjeçare.
Përmes një shkrimi në revistën “The Spectator” McDonagh shkruan se si ajo ka diskutuar me Kadarenë pikëpamjet e tij që nga raportet me regjimin komunist e deri tek domosdoshmëria e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Shkrimi i plotë:
Përveç Bob Dylan dhe Kauzo Ishiguro, do të ishte e sigurt se reagimi i shumicës së njerëzve ndaj fituesve të çmimit Nobel për letërsinë do të ishte, ‘Kush?’. Ndoshta më i fundit, Jon Fosse përbën një përjashtim por shumica e fituesve nuk e përballojnë peshën e çmimit.
Annie Emaux? Abdulrazak Gurnah? Louise Gluck? Është e vështirë të shmanget përshtypja se gjyqtarët u ndikuan nga konsideratat etno-gjinore dhe jo nga merita e plotë letrare.
Këtë javë ndërroi jetë një njeri që me të vërtetë e meritoi çmimin për të cilin u nominua 15 herë, e donte vërtet por që nuk e mori kurrë: Ismail Kadare.
88-vjeçari mund të jetë i panjohur për shumicën e britanikëve, por kjo tregon më shumë për izolimin e kulturës letrare britanike sesa meritat e tij.
Ai ishte i vërtetë, një romancier që krijoi diçka unike; një lloj simbolizmi alegorik që kalon në kohë për të thënë diçka për të vërtetat e përjetshme të despotizmit dhe lirisë duke treguar një histori për një periudhë dhe vend tjetër.
Kadare ishte padiskutim shqiptar, padiskutim një shkrimtar kombëtar, por si të gjithë shkrimtarët e mëdhenj ai ishte i rrënjosur në një vend të caktuar dhe i kuptueshëm botërisht.
Gjenerali i ushtrisë së vdekur, romani i tij që fliste për një gjeneral italian që kërkonte Shqipërinë për eshtrat e ushtarëve italianë që vdiqën atje gjatë pushtimit italian, kishte të bënte me të gjitha luftërat.
Në një farë mënyre, fryma e qytetit të tij të lindjes, Gjirokastrës, përshkon shumë prej rrëfimeve të tij. “Ura me tre harqe” ishte kronika e një murgu të shekullit të katërmbëdhjetë, i cili dokumentoi përpjekjen për të ndërtuar një urë mbi një shtrirje lumi të quajtur “Ujërat e Liga”, e cila do të shkatërrojë sistemin e vjetër të varkave; një metaforë për Ballkanin modern si dhe të vjetrin.
“Pallati i Ëndrrave” është historia e një burokrati i cili është i punësuar në burokracinë osmane dhe i duhet të interpretojë ëndrrat e nënshtetasve të Sulltanit, por ka disa ëndrra që kërcënojnë stabilitetin e shtetit dhe janë të rrezikshme. Metafora është e qartë, por kurrë e rëndë. Hijet e Kafkës? Kështu mendoj.
Kadare kaloi kohë në Moskë para ndarjes midis Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë. Kjo reflektohej edhe në punën e tij.
Libri i fundit ishte “Kukulla”, një rrëfim i jetës së nënës së tij dhe një përshkrim më realist i atij brezi të grave shqiptare.
Kadare u kritikua se ishte ai që nuk ishte, një shkrimtar politik disident. Ai kërkoi azil në Francë pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha me argumentin se jeta e tij ishte në rrezik nga regjimi që pasoi dhe ky pohim duket krejtësisht i besueshëm.
Megjithatë, nën diktatorin Hoxha, ai shkroi nën radar dhe përdori metaforën sesa kritikën e drejtpërdrejtë ndaj regjimit; duke pasur parasysh natyrën e tmerrshme të asaj diktature, duket një qasje e arsyeshme.
E takova disa vite më parë në Paris, ku shteti francez, duke pasur një respekt të sinqertë për kulturën, i kishte dhënë këtij mërgimtari letrar dhe gruas së tij një banesë të bukur pranë bulevardit “St Michel”.
Ai ishte mikpritës. Kishte disa gjëra që më goditën gjatë bisedës sonë. Ai kishte jetuar në të njëjtën rrugë në Gjirokastër ku ishte rritur Enver Hoxha. Kur e pyeta se kur i shkoi në mendje për herë të parë se Enver Hoxha mund të ishte një ogur i keq për vendin, ai iu referua gjyshes së tij e cila nuk merrej me Hoxhët. “Nuk është familje e mirë,” tha ajo në mënyrë shpërfillëse.
Kadareja ishte më i hapur në pikëpamjet e tij për diktatorin jashtë Shqipërisë sesa brenda saj, por kujtoi se kur takoi të venë e Enverit, Nexhmije Hoxhën, “Elena Çausheskun” e Shqipërisë, në Paris, ajo i tha: “Nuk ishe i sinqertë me ne”.
Ai i tregoi kyçin e këmbës- “A do të ishe i sinqertë, tha ai, me një gjarpër?”
Me fjalë të tjera, a do të thoshit atë që mendonit nëse do të thoshte që mund të goditeshe nga regjimi?
E pyeta për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe ai u mërzit. “Shqipëria është në Europë”, tha ai prerë; duke kanalizuar në mënyrë të pandërgjegjshme pikëpamjen e Brexit se Evropa nuk do të thotë BE.
Ai nuk e pëlqente Islamin dhe ishte veçanërisht armiqësor ndaj ndikimit turk në Ballkan, bashkëkohor dhe historik.
Mos harroni, osmanizmi nuk është një çështje antikuare këto ditë; është preokupimi i presidentit turk Erdogan, i cili e përfytyron Turqinë si një rimishërim të Perandorisë Osmane, i kompletuar me ekspansionizmin islamik.
Ajo që ai tha në një intervistë diku tjetër ia vlen ta marrim parasysh: “Kam krijuar një grup veprash letrare gjatë kohës së dy sistemeve politike diametralisht të kundërta: një tirani që zgjati 35 vjet dhe 20 vjet liri. Në të dyja rastet, gjëja që mund të shkatërronte literaturën është e njëjta: autocensurë”. Kjo ka rezonancë, apo jo?
Kadare ishte një njeri me arsye të shëndoshë dhe veprat e tij do të vazhdojnë të jetojnë. Pra, teksa “budallenjtë” do japin çmimin Nobel vit pas viti, por jo për të vetmin shkrimtar evropian që e meritonte vërtet çmimin.
Ai e donte atë dhe qeshi miqësisht kur thashë se mund ta fitonte vitin e ardhshëm. Isha gabim.
Nëse Kadare e meritonte çmimin Nobel, përkthyesi i tij në anglisht, John Hodgson meriton një çmim për atë se si e bëri Kadarenë të arritshëm për anglishtfolësit; në frëngjisht ekuivalenti i tij ishte Jusuf Vrioni.
Përkthyesi është gota përmes së cilës shkëlqen një autor në një gjuhë tjetër; Përkthimet e tij ishin të mrekullueshme. /rtsh/