Mbyllen dy ndeshjet e Superligës, rezultate befasuese
Ballkani është ndalur në një barazim te Dukagjini (1:1) derisa Prishtina nuk mundi ta mposhtë Lirinë e Prizrenit (1:1).
Derbi më interesant u zhvillua në Kampin Nacional në Hajvali, ku Prishtina barazoi në shtëpi ndaj Lirisë së Prizrenit.
Vendasit e nisën derbin për mrekulli duke kaluar në epërsi me një gol të bukur të Leutrim Kryeziut (34’).
Liria e Prizrenit më pas arriti të këndellet duke shënuar nga një aksion i shpejtë, ku Prins e dërgoi topin brenda rrjetës (79’).
Vetëm gjashtë minuta më vonë, “Bardhëkaltërit” kishin rastin e artë për të kaluar në epërsi mirëpo Kryeziu dështoi të shënonte nga pika e bardhë.
Kësisoj, Prishtina u pajtua vetëm me një barazim duke u renditur në pozitën e katërt me nëntë pikë derisa Liria renditet në pozitën e gjashtë me gjashtë sosh, shkruan nacionale.
Në anën tjetër, edhe Ballkani ka dështuar t’i arkëtojë pikët e plota në udhëtim te Dukagjini, me epilogun përfundimtar që rezultoi të jetë 1:1.
Pavarësisht dominimit të skuadrës nga Suhareka, klinasit kaluan të parët në epërsi me një gol të Altin Mërlakut nga afërsia pas një harkimi nga këndi (44’).
Ballkani u këndell në pjesën e dytë duke barazuar me Albin Berishën (72’).
Kampioni i Kosovës kishte edhe disa raste shënimi mirëpo që iu mungoi finalizimi i tyre.
Ballkani pas këtij barazimi renditet në pozitën e dytë me 10 pikë, aq sa ka edhe lideri Llapi me një ndeshje më shumë të zhvilluar, derisa Dukagjini arkëton vetëm pikën e tretë në pozitën e tetë.