
Mbrojtja shqetëson Silvinjon, formacioni i mundshëm i Shqipërisë kundër Anglisë
Mjafton të thuash Anglia dhe kupton shkallën e vështirësisë që do të ketë kombëtarja shqiptare në takim hapës për eliminatoret e Kampionatit Botëror 2026. E si të mos mjaftonte kjo, për ironi të fatit, kuqezinjtë vijnë me probleme të shumta sa i takon gjendjes fizike të disa prej lojtarëve kryesorë.
Po cili do të jetë formacioni i mundshëm i Shqipërisë në sfidën e nesërme kundër “3 luanëve” në Uembi?
Natyrisht në portë do të jetë Tomas Strakosha, i cili vjen me minutash të plotë në kampionatin grek. Dhimbjet e kokës Silvinjos ia shton reparti i mbrojtjes pasi do të duhet të përballet me anglezët pa shërbimet e Hysajt e Mitajt nga krahët. Në vend të dy anësorëve priten të aktivizohen Naser Aliji dhe Ivan Balliu. Në qendër të repartit difensiv shqetëson jo pak forma e Ardian Ismajlit dhe Marash Kumbullës të cilët nuk janë stërvitur rregullisht me pjesën të skuadrës në tokën shqiptare. Me shumë gjasa një vend titullari do të ketë kapiteni Gjimshiti së bashku me Arlind Ajetin.
Në mesfushë Silvinjo pritet ti besoj treshes Asllani-Ramadani-Laçi. Mesfushori i interit dhe ai i Leçes janë lojtarë jetikë sa i takon filozofisë së trajnerit brazilian ndonëse kanë patur pak minuta në këmbët e tyre.
Të destinuar për të sakrifikuar kundër Anglisë nga krahët e repartit ofensiv pritet që në apel nga minuta e pare të thirren Bajrami e Asani. Të dy mesfushorët me tipare sulmuese vijnë pas një momenti pozitiv në aspektin personal dhe natyrisht do te mundohen ti japin sadopak oksigjen skuadrës me inkursionet e tyre. Padron i sulmit pritet të jetë Rey Manaj. Lushnjari ka lënë pas shqetësimet fizike duke gjetur edhe rrugën e rrjetës me skuadrën e Sivasporit në kampionatin turk.
Sidoqoftë Armando Broja është aty për të pritur momentin e tij përballë një kundërshtari që e njeh më shumë se kushdo tjetër. Në këtë optikë me shumë gjasa Silvinjo përtej zgjedhjeve të kushtëzuara do të vijoj ti besoj modulit 4-2-3-1 që kthehet në 4-5-1 apo edhe 4-3-3 në varësi të qasjes së kundërshtarit në fushën e lojës.