Mbrëmje rekordesh, “pokeri” i parë i Palmer, Chelsea “luan tenis” me Everton-in
Chelsea rikthehet te fitorja dhe atë e bën në një super ndeshje ndaj Everton-it, takim i vlefshëm për javën e 32-të të Premier League, me protagonist absolut yllin e skuadrës Cole Palmer.
Takimi i luajtur në “Stamford Bridge” u zhbllokua në minutën e 13’, me Palmer që u dha avantazhin vendasve.
Në minutën e 18’ mesfushori ia doli që të gjejë sërish rrugën drejt rrjetës, duke i shënuar golin e dytë skuadrës së Pochettino-s.
Ndërsa në minutën e 29’, 21-vjeçari anglez shfrytëzoi një gabim të mbrojtjes së Everton dhe realizoi golin e tretë për ekipin dhe njëkohësisht edhe golin e tretë personal.
Pjesa e parë u vulos nga Jackson, me sulmuesin e Chelsea-t që realizoi golin e katërt në minutën e 44’, me vendasit që shkuan mjaft të qetë në dhomat e zhveshjes pas këtij fraksioni.
Ndërkohë në minutën e 64’ Jackson fitoi penallti, që u kthye edhe në përplasje mes tij dhe Palmer se cili prej tyre do e gjuante.
Në fund penalltia iu besua Palmer, me mesfushorin që për herë të parë shënon katër gola në një ndeshje dhe njëkohësisht i dhuroi golin e pestë skuadrës së Chelsea-t.
Pas këtij takimi Palmer kryeson listën e golashënuesve të Premier League për këtë sezon, me 20 gola dhe 9 asist.
Festa e Chelsea-t nuk u mbyll me kaq, pasi në minutën e 90+1’ Alfie Gilchrist shënoi golin e parë në futbollin profesionist, ndërsa i dhuruoi golin e gjashtë “bluve” të Londrës.
Në fund gjithçka u mbyll me rezultatin 6-0, me Chelsea-n që renditet në vend të nëntë me 47 pikë, teksa Everton renditet në vend të 16-të me 27-të pikë.