Mbrëmë ishte përkrah Mbappes, Dembeles e Aubameyangut, flet Edon Zhegrova
Edon Zhegrova e gjeti veten përballë yjeve të futbollit francez, por edhe të atij botëror në gala mbrëmjen e zgjedhjes së futbollistit të vitit në Francë.
Ylli kosovar u përzgjodh si kandidat për lojtarin e vitit në Ligue 1, në një ceremoni të mbajtur në Paris, e të organizuar nga UNFP, e cila është sindikata kryesore e futbollistëve profesionistë në Francë.
Zhegrova i kishte kundër-kandidatë fituesin e çmimit – Kylian Mbappe, i cili e fitoi për herë të pestë këtë çmim, por edhe lojtarët tjerë të njohur si Ousmane Dembele, Pierre-Emerick Aubameyang dhe Pierre Lees-Melou.
Edhe pse nuk e fitoi këtë çmim, 25 vjeçari u ndie i lumtur dhe i privilegjuar që ishte në mesin e pesë më të mirëve të sezonit 2023/24 në Francë.
“Mjaft i lumtur që jam nominuar për futbollistin më të mirë në Francë. I falënderoj të gjithë për mbështetjen që ma kanë bërë gjatë tërë sezonit dhe e vlerësoj këtë. Le ta përfundojmë sezonin me fitore të dielën”, deklaroi Zhegrova përmes një postimi në rrjetet sociale, shkruan Express.
Pavarësisht se nuk ishte fitues, për reprezentuesin e Kosovës vlerësohet si një arritje e lartë edhe nominimi, duke e marrë parasysh edhe konkurrencën që e kishte.
Zhegrova pritet të largohet nga Franca gjatë verës që po vjen për t’u transferuar në një klub më të madh evropian.