
Mbi katër orë intervistim si i dyshuar, Faton Peci lirohet në procedurë të rregullt
Pas intervistimit nga Njësia e Veçantë Hetimore në cilësinë e të dyshuarit në lidhje me rastin e fabrikës së mbetjeve shtazore, ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, është liruar në procedurë të rregullt.
Më shumë se katër orë ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci është interivistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës në cilësin e të pandehurit.
Lajmin e ka konfirmuar prokurori i rastit, Admir Shala.
“Po është duke vazhduar ende intervistimi. I njëjti është duke u intervistuar në cilësinë e të pandehurit”, ka thënë Shala.
Po ashtu, në Prokurorinë Speciale pas deputetit dhe ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, në cilësi të të pandehurit do të intervistohet edhe Drejtori Ekzekutiv i Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë, Bekim Hoxha.
Kjo u bë e ditur nga avokati i tij Artan Qerkini, i cili në zyrat e hetuesie ka mbërritur pak më herët.
Intervistimi i Pecit vjen pas bastisjes në minsitrinë që ai udhëheqë në lidhje me raportimin e Periskopit për fabrikën për mbetje shtazore që Kosovës i kushtoi mbi 8 milionë euro.
Ndryshe, prokurori i rastit Admir Shala, para gazetarëve ka treguar se përveç Ministrisë së Bujqësisë dhe AUV-it, janë kryer kontrolle edhe në Agjencinë për Zhvillim Bujqësor, si dhe te lokacioni i kompanisë përfituese të kontratës.
“Hetimi është duke u zhvilluar lidhur me dyshimet e dhënies me qira të kësaj fabrike. Jemi në fazën e hetimit, jemi duke zhvilluar bastisjen dhe kontrollet në bazë të urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës me kërkesë të Prokurorisë Speciale.
Po ashtu me autorizimin tonë, policia me ne është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme me qëllim të zbardhjes së rastit konkret. Bastisjet janë duke u zhvilluar në katër lokacione: Ministri të Bujqësisë, Agjencia për Zhvillim Bujqësor, Agjencia e Veterinarisë dhe lokacioni i vetenerinarisë ë kompanisë përfituese”, tha Shala.
Kurse nga policia kanë thënë se bastisjet janë kryer mbi dyshimet për keqpërodim të detyrës zyrtare.
“Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, bazuar në urdhëresën e Gjykatës kompetente ka filluar zbatimin e një urdhërkontrolli në Prishtinë, mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pas përfundimit të operacionit policor, i cili po realizohet në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, mund të bëhen publike informacione shtesë”, thanë nga Policia e Kosovës.