Mbi 1.4 milionë myslimanë nisin Haxhin në Mekë mes temperaturave ekstreme

Mbi 1.4 milionë myslimanë nisin Haxhin në Mekë mes temperaturave ekstreme

Më shumë se 1.4 milionë besimtarë myslimanë nga e gjithë bota kanë nisur këtë të enjte (5 qershor), pelegrinazhin e përvitshëm të Haxhit në qytetin e shenjtë të Mekës.

Autoritetet saudite kanë rritur ndjeshëm masat e sigurisë për të përballuar fluksin e pelegrinëve dhe temperaturat ekstreme që këtë vit arrijnë deri në 44°C.

Për të zbutur efektet e të nxehtit, janë instaluar qindra njësi ftohëse në vendet kyçe të pelegrinazhit, ndërsa Ministria Saudite e Shëndetësisë ka bërë thirrje për kujdes. Pelegrinëve u kërkohet të shmangin qëndrimin në diell mes orës 10:00 dhe 16:00, të përdorin çadra për hije dhe të konsumojnë ujë rregullisht për të parandaluar dehidratimin dhe problemet shëndetësore.

Masat vijnë në një kohë kur vitin e kaluar, gjatë Haxhit, humbën jetën mbi 1300 persona për shkak të të nxehtit ekstrem.

Haxhi, një nga pesë shtyllat e Islamit, kryhet çdo vit në muajin e 12 të kalendarit hënor islam, dhe është një detyrim që çdo mysliman duhet ta përmbushë të paktën një herë në jetë. /RTSH/

Share This