Mbappe: I tillë është futbolli, do vazhdoj karrierën larg Evropës
Kylian Mbappe nuk e ka vendosur akoma se ku do të luajë sezonin e ardhshëm, por nuk përjashton mundësinë që në të ardhmen të luajë në Arabinë Saudite apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sulmuesi francez ka pozuar për kopertinën e revistës “GQ”, ku ka folur për mënyrën si e sheh futbollin dhe për tema të tjera të aktualitetit.
Në lidhje me transferimin e shumë lojtarëve të njohur në kampionate “ekzotike”, sulmuesi i PSG-së ka deklaruar: “Shumë lojtarë të mëdhenj, që kanë shkruar historinë e futbollit, janë larguar nga Evropa verën e kaluar. Po hyjmë në një epokë të re në këtë sport. Është pjesë e një cikli normal dhe në një moment të caktuar do të jetë radha ime të largohem. Këto ndryshime nuk më shqetësojnë, mendoj vetëm të vazhdoj karrierën duke ndjekur rrugën time”, ka thënë Mbappé.
Francezi ka konfirmuar dëshirën e tij për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Paris 2024: “Kam arritur në një pikë në jetë dhe karrierë ku nuk dua ti bëj gjërat me sforco. Nëse klubi më lejon, do të shkoja me gjithë qejf. Do të ishte kënaqësi e madhe, por edhe nëse nuk do të kisha mundësi të shkoja do ta kuptoja vendimin e klubit. Për çdo atlet, Olimpiadat kanë një vend special. Unë doja që të shkoja edhe në Tokio, sepse dua të fitoj gjithçka dhe të shkruaj emrin tim në historinë e kombëtares franceze”, ka thënë mes të tjerash Mbappe.