Mbappe feston datëlindjen me dopietë, Nice fiton dhe ruan hapin e PSG-së
Kampionati francez luajti të gjithë javën e 17-të këtë të mërkurë, duke mbyllur kështu vitin 2023.
Paris Saint-Germain rikthehet te suksesi në javën e 17-të të Ligue 1, me skuadrën e Luis Enrique që fitoi 2-1 përballë Metz në “Parc des Princes”.
Pjesa e parë nuk prodhoi gola, ndërsa në fraksionin e dytë, vendasit kaluan në avantazh shumë shpejt me anë të Vitinha që shënoi në minutën e 49-të, teksa portugezi ishte vendimtar edhe në minutën e 60-të me pasimin final për Mbappe, me sulmuesin që dyfishoi gjithçka.
Miqtë nuk u dorëzuan dhe rihapën llogaritë e mbrëmjes në minutën e 72-të me Udol, një gol që vendosi në lëvizje parisienët.
Shtatë minuta nga fundi i kohës së rregullt, Mbappe realizoi golin e qetësisë, duke shënuar golin e dytë personal në një mbrëmje të veçantë për të, pasi Kylian festoi këtë të mërkurë 25-vjetorin e lindjes.
Pas këtij suksesi, PSG shkon në kuotën e 40 pikëve në vendin e pare, ndërsa Metz mbetet me 16 pikë në vendin e 14-të.
Në takimin tjetër të rëndësishëm të mbrëmjes, Nice triumfoi ndaj Lens 2-0 duke ruajtur hapin e PSG.
Skuadra Fariolit vuajti disi ndaj nënkampionëve të Francës, ndërsa dy golat e fitores erdhën në fundin e takimit.
Terem Moffi ishte heroi i “shqiponjave”, me sulmuesin që fillimisht realizoi në minutën e 76-të nga pika bardhë e penalltisë dhe dy minuta më pas dyfishoi gjithçka.
Me këtë sukses, Nice ngjitet në kuotën e 35 pikëve dhe mbetet në vendin e dytë, pesë pikë larg kampionëve të Francës, Paris Saint-Germain, ndërsa Lens qëndron në vendin e shtatë me 26-të pikë.
Në “Municipal”, Monaco rigjeti recetën e fitores, me monegaskët që morën maksimumin ndaj Toulouse me fitoren 1-2. Vendasit shënuan të parët me Magri në minutën e pestë, por Ben Yedder përmbysi i vetëm me një dygolësh, në minutat 26’ dhe 44’.
Marseille nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në transfertë ndaj Montpellier, teksa Lyon ka rigjetur formën e mirë duke marrë fitoren e tretë radhazi pas suksesit 1-0 ndaj Nantes, falë golit të Lacazette në minutën e 49’.
Skuadra e Lille pas barazimit spektakolar ndaj PSG nuk ia doli përballë Strasbourg në humbjen 2-1. Edon Zhegrova luajti 81’ minuta, ndërsa u ndëshkua edhe me kartonin e verdhë. /SS/