Mbahet Punëtoria e Parë në kuadër të projektit “Safeguading the Future”
Është mbajtur Punëtoria e Parë në kuadër të projektit “Safeguarding the Future”.
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) është fituese e këtij projekti në kuadër të Erasmus +, në të cilin projekt FBK është koordinatore, përderisa partnere të saj janë Federata e Basketbollit të Estonisë, Federata e Basketbollit të Bullgarisë dhe Shoqata e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës (SHTBK).
Sekretarja e Përgjithshme Elvira Dushku në fjalimin hapës iu uroj mirëseardhje federatave anëtare për këtë projekt në Kosovë. Më pas, ajo foli për rëndësinë e projektit “Safeguarding the Future” dhe krijimin e politikave për këtë projekt të rëndësishëm.
“Përgjegjësia kolektive bëhet më e rëndësishme pas përfundimit të këtij projekti. Të tri Federatat presin me padurim implementimin e këtyre politikave, me synim që të krijojnë një mjedis basketbolli të sigurt për të gjithë”, tha Dushku.
Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së falënderoi gjithashtu Mimika Dobroshin, Koordinatoren e Zyrës së Erasmus+ për Kosovën, për mbështetjen në projektet lidhur me Erasmus+.
Edhe Dobroshi, u shpreh e lumtur që Federata e Basketbollit e Kosovës është pjesë e këtij projekti të rëndësishëm dhe më e rëndësishmja është bartëse e tij.
“Federata e Basketbollit e Kosovës është organizata e parë sportive në Ballkan që është bërë bartëse e këtij projekti.”
Dobroshi shtoi se ide e projekteve të Erasmus+ është shtrirja e politikave nga federata tek klubet: “Pikërisht për këtë duhet të jetë projekti Erasmus+, diçka që do të shkojë nga niveli i federatës, të krijohet një lloj politikash dhe zbatimi që do të shtrihet deri tek klubet dhe subjektet sportive, sidomos në vendet e Ballkanit”.
Kujtojmë se dje është organizuar edhe konferenca për media, duke lansuar zyrtarisht këtë projekt.
Të pranishëm ishin edhe Presidenti i Federatës së Basketbollit të Bullgarisë, Georgi Glushkov dhe Drejtoresha e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Projekteve Speciale, Eleonora Rangelova, si dhe Drejtori i Ligës dhe Garave në Federatën e Basketbollit të Estonisë, Henri Ausmaa.
Projekti është i ndarë në pesë paketa të punës dhe të gjitha këto do të udhëhiqen nga Federata e Basketbollit e Kosovës në bashkëpunim me Federatën Bullgare dhe Estoneze, si dhe Shoqatën e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës.
Paketa e parë ka të bëjë me Menaxhimin e Projektit në tërësi prej muajit të parë deri në atë të fundit.
Në paketën e dytë do të bëhet një hulumtim nga një kompani/organizatë në të tri shtetet. Kjo paketë do të zgjasë prej muajit shkurt deri në maj.
Ndërkaq paketa e tretë ju takon ekspertëve/eve që do të angazhohen në hartimin e politikave/udhëzuesve të Safeguardin në bazë të hulumtimit të kryer në të tri shtetet. Kjo paketë do të zgjasë prej muajit qershor deri në muajin tetor.
Paketa e katërt fillon në muajin nëntor dhe përfundon në muajin shkurt 2025. Në këtë paketë do të bëhet zhvillimi i strategjisë së komunikimit për mbrojtjen e politikave, udhëzimeve dhe procedurave.
Paketa e pestë apo e fundit fillon në janar 2024 dhe përfundon në qershor 2025 dhe ka të bëjë me monitorimin vlerësimin e projektit.