Mashtrim e kanosje ndaj viktimave me fotografi intime,arrestohen dy persona
Dy persona, një mashkull dhe një femër, janë arrestuar nga aksioni disa mujor i Prokurorisë Themelore dhe Policisë së Kosovës për veprat penale të mashtrimit dhe shantazhit përmes sistemeve kompjuterike (internetit).
Rasti ka ndodhur në Pejë e Klinë, teksa ka të bëjë me zhvatje parash e kanosje për fotografi dhe video intime. I dyshuari kryesor në këtë rast ka përdorur rrjetet sociale duke përdorur emër dhe fotografi personale të rrejshme për të gjetur dhe joshur viktimat. Motivi kryesor i joshjes ka qenë lidhje dashurie.
“Me qëllim të zhvatjes financiare të viktimës, i dyshuari kryesor ka përdorur arsyetime të ndryshme duke u thirrur në atë se të hollat i duhen për shërim të anëtarëve të ngushtë të familjes të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda, pastaj për të dërguar trupin e pajetë të familjarit të ngushtë në Kosovë si dhe arsyetime tjera të ngjashme. Të dyshuarit kanë arritur të mashtrojnë viktimën e cila i ka dërguar të dyshuarit para përmes unioneve financiare”, thuhet në komunikatën e përbashkët të dy institucioneve.
Në momentin që viktima ka kuptuar se është mashtruar, i dyshuari e ka shantazhuar por edhe kanosur se nëse raporton rastin në polici do t’ia publikojë fotografitë dhe videot intime.
“Të dyshuarit me veprimet e tyre kanë vënë në lajthim dhe kanë mashtruar viktimën shtetase e huaj (por e nacionalitetit shqiptar) me ç ‘rast dëmi i shkaktuar kap vlerën mbi 80 mijë dollar amerikan. Dyshohet se numri i viktimave në këtë rast, shtetase të huaja (por të nacionalitetit shqiptar), është më shumë se një”, vazhdon komunikata.
Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje teksa në cilësi të provave janë sekuestruar një veturë; dëshmi të transaksioneve nga unionet financiare; dy telefona mobil; dy revole, tetë copë municion dhe një maskë, raporton rtk.