
Martin Dvorak: Retorika agresive po e dëmton Kosovën dhe perspektivën e saj
Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në infrastrukturë, por ende mbetet peng i mendësisë së pasluftës dhe mungesës së kompromisit. Kështu e përshkruan gjendjen aktuale të vendit ministri çek për Çështjet Evropiane, Martin Dvorak, në ditën kur Kosova shënon 26-vjetorin e çlirimit.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Dvorak, autor i librit “Kosova nën lëkurën time” dhe qytetar nderi i Istogut, thotë se “retorika agresive” dhe mungesa e vullnetit për dialog me serbët po dëmtojnë imazhin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
Ai bën thirrje për qetësim të situatës, rifillim të dialogut me Serbinë dhe dërgim të sinjaleve pozitive në Bruksel, duke theksuar se “pa kompromis nuk ka anëtarësim në BE”.
Nga viti 1999 deri në vitin 2002, Dvorak shërbeu si administrator i Kombeve të Bashkuara në komunën e Istogut, ku udhëhoqi procesin e rindërtimit pas luftës në Istog, Gjakovë dhe rajonin e Pejës. Ai ka shërbyer gjithashtu në Irak dhe ka përfaqësuar Çekinë në SHBA, Kuvajt dhe Katar. Në qershor të vitit 2021 u emërua zëvendësministër i Punëve të Jashtme, ndërsa nga maji i vitit 2023 ushtron detyrën e ministrit për Çështjet Evropiane. /rel/